PDK, partia e Estradës së Prishtinës!

Aktuale

PDK, partia e Estradës së Prishtinës!

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 15:18
Memli Krasniqi

Largimi i Ramë Bujës, nënkryetarit historik të Partisë Demokratike të Kosovës, është pritur me mjaft polemika në nivelin e militantëve dhe mbështetësve të partisë më të madhe të opozitës në Kosovë.

Që nga ish- këshilltari i Kadri Veselit, Njiazi Kryeziu, por edhe eksponentë të tjerë të PDK-së, e kanë konsideruar largimin e Ramë Bujës, si një hap tjetër drejt largimit të partisë nga njerzit e luftës, parti që në fakt u krijua pikërisht nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sot kjo parti nuk ka në udhëheqje asnjë prej themeluesve të vitit 2000, apo komandantëve të njohur të luftës, përjashto Sami Lushtakun, i cili vijon e mban fort degën e Skënderajt, që vazhdon e mbetet një hambar i saj elektoral.

Në PDK-në e sotme, nuk ndodhet as brezi i parë i komandantëve me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Fatmir Limajn, Xhavit Halitin, Ramë Bujën, Jakup Krasniqin etj, por as brezi i dytë që erdhi në këtë forcë, e që i përket shtresës së profesorëve. Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, apo edhe Enver Hoxhaj, nuk janë sot një faktor politik i partisë kryesore të opozitës.

Në videon e fundit të shpërndarë nga faqja zyrtare, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se “partia e udhëhequr nga unë fitoi zgjedhjet vendore”. Pra në mënyrë të qartë, ish-reperi i “Ritmit të Rrugës” e privatizoi rezultatin politik të zgjedhjeve vendore, si një fitore e tij personale.

E ndërsa njerëz nostalgjikë e militantë në rrjetet sociale vijojnë të mbështesin Hashim Thaçin e Kadri Veselin, që tashmë ndodhen në një burgosje të gjatë në Hagë, udhëheqësia e PDK, në rrjetet e Memli Krasniqit, këtë mbështetje ose e gjen në një masë të zbehtë, ose nuk e sheh fare.

Një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, u shpreh në rrjete si me sarkazëm se partia nga “grupi i Zanzibarit” është kthyer në “kori i estradës së Prishtinës”, duke ju referuar disa këngëtarëve të estratës që sot janë në postet drejtuese të partisë më të madhe të opozitës së Kosovës, si Memli Krasniqi, Luiza Hoxha etj.

Deri tani, edhe për efekt të solidaritetit të Thaçit e Veselit, por edhe të logjikës opozitare, si dhe grupeve të interesit, PDK ka qenë e bashkuar, e kjo shihet edhe në sondazhet e publikuara, ku mbështetja e saj paraqitet solide. Por në të ardhmen, kur ky shndërrim do të marrë formë e fuqi më potenciale, do të nisë përplasja reale e grupeve kryesore që përbëjnë këtë forcë politike.

Grupi që vjen nga UÇK dhe kërkon ta mbajë këtë si një emblemë, dhe “grupi i estradës” që turpërohet nga komandantët.

Rezultati pozitiv i PDK-së në Prishtinë, i ka dhënë një arsye më shumë Memli Krasniqit për të treguar se ai e ka zgjeruar bazën elektorale përtej zonave të përhershme të influencës si Drenica, Prizreni, Mitrovica e Ferizaj. Memli Krasniqi, gjithashtu, ka një kimi më natyrale për të qenë në aleancë me LDK-në, duke qenë se vjen nga ai substrakt kulturor në Kosovë, shkruan Pamfleti. Por a do ta lejojnë njerëzit e luftës, që djali i “Ritmit të Rrugës” të marrë të gjithë fuqitë në PDK, duke mos ndarë pushtet? Deri tani, Memli po e tenton, madje shumë fort…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat