Dita kritike e 31 tetorit! / Skenari ruso-serb, për veriun

Aktuale

Dita kritike e 31 tetorit! / Skenari ruso-serb, për veriun

Nga: Idriz Morina Më: 25 shtator 2022 Në ora: 21:54
FSK-ja gjatë ushtrimeve

Një marrëveshje e re Rusia-Serbi e lidhur qëllimshëm në zyrat e OKB-së në Nju Jork, nuk është thjesht një provokim për diplomacinë perëndimore.

Kjo marrëveshje, e lidhur ndërmjet dy ministrive të jashtme, është një paralajmërim, që institucionet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht!

Është e pandershme, që asnjë nga partitë parlamentare në Kosovë, nuk kanë reaguar ndaj kësaj marrëveshje, të paktën për ‘statistika’. Marrëveshja e nënshkruar në kohën, e një kulminacioni zhvillimesh nga Rusia, e cila po nxjerrë jashtë vendit të saj, qindramijëra qytetarë, qoftë se janë të detyruar që të ikin për ta shmangur shërbimin ushtarak, qoftë sepse, tashmë ka një plan tjetër sekret, siç thonë disa studiues duke e lidhur me teori konspirative apo lufte speciale, paraqet rrezik të ri për Europën (atëherë besoj edhe për Kosovën), nga potenciali i kryerjes së sulmeve të papritura e të paparashikuara.

Një skenar i paqartë zhvillimesh

Askush nuk e ka një skenar të qartë zhvillimesh, në rast të tërbimit të diktatorit rus, Putinit, nëse ai vendos t’i përdorë bombat bërthamore taktike. Pavarësisht se mund të konsiderohen më pak të rrezikshme, ato paraqesin rrezik të shumëfishtë me dëme ta jashtëzakonshme, në vendin ku hidhen dhe në gjithë fqinjësinë e tyre, dhe më tej, duke rrezatuar njerëzit dhe gjënë e gjallë, botën bimore, ujërat etj., dhe duke kontaminuar mbi të gjitha ushqimet.

Por, një skenar i tillë, që do ta bënte botën shumë të frikshme, ende nuk ka raporte se vërtetë mund të ndodhë, por frika është shtuar, veçanërisht pasi Rusia përshpejtoi planin për referendumet në zonat e pushtuara në Ukrainë, ku nga 2014 ka pasur luftime nga forcat proruse dhe të mbështetura nga Kremlini.

Pas shpalljes së rezultateve, Rusia, pretendon t’i marrë ato republika të reja në “mbrojtje” nga Ukraina. Në këtë rast, ajo edhe përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina, do të mundohet ta interpretojë si cenim të sovranitetit të saj, pasi SHBA-ja dhe vendet tjera që i kanë armatosur forcat ukrainase janë kujdesur mos t’i japin armë që e arrijnë territorin e Rusisë, dhe po ashtu, marrëveshjeve, që u referohen me Ukrainën, thonë se ajo nuk mund t’i përdorë ndihmat ushtarake, për të cenuar territorin rus.

Po ashtu në anën tjetër është raportuar se ky përshpejtim ka mundur të ndodhë, pasi presidenti kinez Xi, i ka kërkuar Putinit, që t’i jap fund luftës, me gjasë që ai ta tregojë fuqinë ushtarake.

Në këto kontekste, rritja e agresivitetit rus, pas vendimit për mobilizimin e 300 mijë trupave rezervë për të luftuar në Ukrainë, ku pësoi disa javë rresht humbje të mëdha, rrezikut për trazira të brendshme nga pakënaqësitë e mobilizimit, dhe kërcënimit të Putinit për të përdorur gjithë arsenalin, janë rritur dyshimet për një rrezik më të madh, që Kremlini, mund të provojë një çmenduri, atë të përdorimit të armëve bërthamore, shkatërrimit në masë!

Në ndërkohë është shtuar rreziku edhe për shtetet e përmendura nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës si të cenueshme, si për Moldavinë, Gjeorgjinë, Ballkanin Perëndimor etj.

Kaosi nga një skenar ruso-serb

Disa shtete me kultura dhe regjime të ngjashme si i Putinit, siç është Serbia në Europë, do të përbënte një rrezik serioz për Kosovën dhe se lufta në atë rast mund të konsiderohej e pashmangshme.

Kaosi që do të krijonte një skenar i tillë, i përcjellë edhe me luftën kibernetike ruse, si hamendësohet, në atë rast Serbia, që përgatitet prej kohësh, vështirë se do të përmbahej nga tundimi për ta sulmuar Kosovën.

Ajo gjatë gjithë kohës, që nga dorëzimi dhe humbja në Kosovë në vitin 1998, ka investuar miliarda euro në armatim, jo vetëm duke e kthyer fuqinë e saj ushtarake, por duke u bërë vendi me ushtrinë më të fuqishme në Ballkan, nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Madje vlerësohet se ka më shumë fuqi ushtarake se sa Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Kosova së bashku.

Në ndërkohë, që bisedimet po vazhdojnë me një ritëm të ulët, ndërsa greva po e pengon procesin arsimor, dhe ka krijuar njëlloj beteje të brendshme, të panevojshme, Serbia po mendohet se po përgatit disa skenarë, për të ndryshuar gjendjen në veri, për të cilën aktualisht paraqet problem kryesor NATO-ja, ndërsa që nuk pret një rezistencë të fuqishme nga forcat shqiptare, të paktën në një sulm të befasishëm e të rrufeshëm.

Nga 27 shtatori e deri më 2 nëntor, NATO-ja do të kryejë një nga stërvitjet më të gjata, në Kosovë, ku do të marrë pjesë edhe FSK-ja, njësi të së cilës sapo janë kthyer nga një stërvitje dyjavore me NATO-n në Gjermani.

Duket se paralajmërimet që me 31 tetor, serbët mund të provokojnë dhunë apo konflikt të armatosur, NATO-ja i ka marrë shumë seriozisht. Dhe që stërvitjet e aleancës bashkë me FSK-në, nuk do të përfundojnë para ditës kritike, kur serbëve ju skadon afati i tretë shtesë, vetëm i këtij viti, që ata të heqin dorë nga targat e Serbisë, madje të kohës së Millosheviçit.

Këto stërvitje dhe operacione të ushtarëve të FSK-së e trupat ushtarak amerikanë, si dhe deklaratat e krerëve të shtetit, veçmas të kryeministrit Albin Kurti për rrezikun që mund t’i kanoset vendit një luftë sulmuese nga shteti serb, janë sinjale se rreziku nuk mund të injorohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat