​Oda e Avokatëve i reagon Haxhiut mbi akuzat për mos bashkëpunim

Aktuale

​Oda e Avokatëve i reagon Haxhiut mbi akuzat për mos bashkëpunim

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 17:09
Oda e Avokatëve e Kosovës

Oda e Avokatëve e Kosovës ka reaguar pas deklarimeve të ministres Albulena Haxhiu, se Oda e Avokatëve është institucioni i vetëm me të cilin nuk po gjejnë bashkëpunim dhe se kësaj të fundit po i mungon vullneti për të bashkëpunuar mbi raportin me rekomandimet që dalin nga strategjia për sundimin e ligjit.

Ministrja e Drejtësisë në aktivitetin për të përmbyllur javën e ndërmjetësimit, ka thënë se i është shkruar disa herë Odës së Avokatëve në raport me këto rekomandime, por ata nuk kanë shprehur interes për bashkëpunim.

Oda e Avokatëve me këtë rast përkujton se në të njëjtin aktivitet, edhe zëvendës kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Qerim Ademaj, ka akuzuar avokatët për mos bashkëpunim lidhur me e-mailat zyrtarë, pasi në atë aktivitet nuk ishte askush pjesëmarrës nga Oda e Avokatëve.

OAK sqaron se ka qenë nga 14 shkurti në komunikim me zyrtarët nga Rishikimi funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, dhe ka kërkuar të njoftohet mbi mënyrën e aprovimit të strategjisë dhe informacion sqarues se, pse OAK nuk ka qenë pjesë e ekipit qendror punues për hartimin e projekt strategjisë së sundimit të ligjit, dhe as pjesë e Komitetit Drejtues dhe organit koordinues ndërinstitucional.

OAK përkujton se më 21 korrik 2022, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë kanë pasur tryezën e përbashkët për finalizimin e Draft Raportit përfundimtar për vlerësimin ex post të Ligjit për Avokatinë, që dëshmon se komunikimi i mirëfilltë nuk mungon nga ana e OAK-së.

Përveç kësaj, Oda e Avokatëve të Kosovës sa i përket obligimeve të saj që dalin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit, ka treguar bashkëpunim të lartë duke mbështetur projektin që lidhet me ndërmjetësimin si procedurë alternative për zgjidhje të kontesteve/konflikteve në Kosovë, duke zhvilluar takime me shefin e INL, Shawn Waddoups, më 16 mars 2022, pastaj OAK ka marrë pjesë në Tryezën e rrumbullakët për Koordinimin Ndërinstitucional për Ndërmjetësimin Penal, të organizuar nga Ambasada e SHBA-së, përkatësisht Zyra për çështjet ndërkombëtare si dhe zbatim të ligjit/shërbimi federal i ndërmjetësimit dhe pajtimit të SHBA, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, më datë 22 shtator 2022. Gjithashtu Oda e Avokatëve të Kosovës, lidhur me strategjinë, ka bërë njoftimin përmes ueb faqes së saj zyrtare më datë 22 shtator 2022.

Duke pasur të gjitha këto paqartësi, duke mos qenë e kyçur në fillimet e projektit si tërësi, OAK nuk ka pasur mundësi të raportojë për detyrimet qe i janë caktuar nga të tjerët pa u pyetur ajo, por që më parë më datë 22.09.2022, OAK ka pasur takimin e parë me zyrtarët e Rishikimit funksional të Sektorit të sundimit të Ligjit, ku pas sqarimeve detale që ka marrë është dakorduar mënyra dhe forma e raportimit të OAK-së, por që kjo nuk ka interferuar te ministrja Haxhiu pasi nuk ka pasur rëndësi për Strategjinë që ka ministrja në raport me përpjekjen e saj për dëmtimin e imazhit të OAK-së.

OAK është e befasuar me deklaratën e zëvendës kryesuesit të KGJK marr parasysh bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe se deri më tani, OAK, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë bisedim me KGJK lidhur me e-mailat zyrtar.

Oda e Avokatëve të Kosovës thotë se do të jetë bashkëpunuese mbi strategjitë që përgatitin sistemin e drejtësisë, por nuk do të pranojë që profesioni i avokatisë të nëpërkëmbet deri në masën sa t’u përcaktohen detyra pa u konsultuar.

“Ne përsërisim kërkesën tonë konsekuente, se do të këmbëngulim në rritjen e tarifës për angazhimet e avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, pasi që është dhe mbetet e domosdoshme për avokatët”, përfundon reagimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat