​Kurti: Vetëvendosje nuk pretendon t’i mbivendoset popullit

Aktuale

​Kurti: Vetëvendosje nuk pretendon t’i mbivendoset popullit

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 17:54
Albin Kurti

Pas rizgjedhjes, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot pasdite strukturat e reja të dala nga zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt politik. Ai në takimin me kryetarët e qendrave dhe organizatës së gruas dhe rinisë ka thënë se përgjegjësitë janë të mëdha, e të mëdha sipas tij, janë edhe nevojat e qytetarëve.

Kurti u shpreh se sfidat dhe nevojat e qytetarëve duhet të jenë edhe detyrat për programin e Vetëvendosjes, për progresin e gjithmbarshëm shoqëror, shtetëror e kombëtar.

Ndonëse sipas Kurtit, Vetëvendosje nuk pretendon t’i mbivendoset popullit.

Kurti: Vetëvendosje nuk pretendon t’i mbivendoset popullit

“Ne nuk pretendojmë të jemi një lloj super strukture që i mbi vendosemi popullit, sepse askush asnjëherë nuk bën t’i mbi vendoset popullit, por ne ofrojmë strukturat tona, edhe ato të reja tani në të gjitha qendrat si infrastrukturë për qytetarët e Republikës për ndryshimet që ata i duan dhe atyre ju duhen”, theksoi Kurti.

Kryetari i rizgjedhur i LVV-së tha se si parti në pushtet asnjëherë nuk do të qeverisin kundër qytetarëve.

Kurti: Do të trajtojmë problemet të cilat i preokupojnë qytetarët

“Ne qeverisim bashkë me qytetarët, asnjëherë kundër tyre dhe jemi organizatë për sa më shumë tubime publike e shoqërore për temat që jo vetëm që ne i kemi në program, por edhe për problemet të cilat i preokupojnë qytetarin tonë kudo që ai është. Me ç’rast ato i inkorporojmë në programet tona politike lokale e qendrore dhe në të njëjtën kohë testojmë tezat tona në funksion edhe të rritjes e zhvillimit ekonomik, por edhe të drejtësisë në shoqëri dhe të mirëqenies për të gjithë”, theksoi ai.

Kryetarja e Gruas në Lëvizjen Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, u shpreh e pakënaqur me numrin e anëtarësisë së grave dhe vajzave në Vetëvendosje.

Haxhiu: Numri i anëtareve në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është në nivelin që ne duam

“Numri i anëtareve në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është në nivelin që ne duam, sepse aktualisht 25 për qind e anëtarësisë tonë janë anëtare gra dhe vajza dhe në anën tjetër 75 për qind janë djem e burra. Pra mbështetja e madhe që kemi nga vajzat dhe gratë dhe qytetarët e këtij vendi nuk po reflektohet ende në anëtarësinë tonë. Prandaj, është i rëndësishëm angazhimi që të rrisim numrin e anëtareve vajza dhe grave në organizatën tonë sepse gratë duhet të jenë në organet vendimmarrëse të Vetëvendosjes”, tha ajo.

Në këtë takim kryeministri Kurti ka thënë se si kryetar i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje ofron bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe të shtuar me anëtarësinë dhe Qendrat e Vetëvendosjes nëpër komuna.

Të dielën, në 43 Qendra të Lëvizjes u mbajt procesi zgjedhor për kryetar të LVV-së, kryetare të Gruas në VV-së dhe kryetar të Rinisë në VV-së. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat