AAK: Vendimi i Qeverisë për pagat e mësimdhënësve është skandaloz

Aktuale

AAK: Vendimi i Qeverisë për pagat e mësimdhënësve është skandaloz

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 19:36
Foto nga takimi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se vendimi i Qeverisë Kurti për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit është skandaloz.

Në një komunikatë për media thuhet se qeveria ka shkelur ligjet në fuqi duke vazhduar me ndëshkimin e atyre që nuk mendojnë si ajo.

“Shtypja e atyre që mendojnë ndryshe, është cilësi e regjimeve autokratike e diktatoriale. Kjo ndodh në Kosovë, pasi që i tërë pushteti ndodhet në dorën e një njeriu. Qeveria e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale, po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita, te mësimdhënësit, personeli shëndetësor, administrata publike, Policia e zjarrfikësit”, thuhet në reagim.

Për më tepër, AAK ka akuzuar Qeverinë Kurti për kapjen e bordeve dhe korrupsion, ndërkohë që vendi është zhytur në degradim ekonomik, krizë energjetike dhe ngritje enorme të çmimeve.

“Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen dhe zotimin tonë që nuk do të ndalemi së kundërshtuari këtë vendim jonjerëzor, e nëse në këtë mandat nuk do të kemi mundësi e numra që të ndryshojmë diçka për të mirën e tyre, atëherë qeverisja e ardhshme e Aleancës, do të kompensojë secilin, ashtu siç kemi kompensuar gjatë mandatit tonë edhe mësuesit e viteve '90të”, përfundon reagimi i AAK-së.

Ndryshe, Ministria e Financave nuk ka alokuar as sot deri në orën 16:00 pagat për grevistët. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës kanë pritur që pagat të dalin sot gjatë ditës.

Në anën tjetër Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se mos ekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligj.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat