“Serbisë i duhet një përqafim nga ariu rus”! / Pse duhet t’i bëjmë kompromise edhe për Kinën?!

Aktuale

“Serbisë i duhet një përqafim nga ariu rus”! / Pse duhet t’i bëjmë kompromise edhe për Kinën?!

Nga: Idriz Morina Më: 28 tetor 2022 Në ora: 13:38
Edi Rama, mbase edhe ky duke provuar ta shijojë “përqafimin e ariut rus”

Lëvizjet e Shqipërisë, përkatësisht të Edi Ramës përkrahë Serbisë, pavarësisht motivit dhe motivimit, të atij raporti (qoftë edhe nga jashtë), duket se kanë dëmtuar rëndë trarin mbajtës, të interesit të shqiptarëve në Ballkan.

Pavarësisht që gjatë luftës në Kosovë, Shqipëria, veçanërisht në planin ushtarak ishte e paaftë dhe aspak e gatshme të ndihmonte luftën, madje, luftën dhe organizimin institucional të Republikës së Kosovës e pengoi, por, ajo çfarë po bën Edi Rama, është tmerrësisht e tmerrshme, për vizionin shqiptar, ideologemat e patriotizmit shqiptar, dhe për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Pra, nuk mund të shihet jashtë këtij konteksti, as çështja e krijuar me targat, ku miqtë tanë më të mëdhenj ndërkombëtar, kanë shtuar trysninë ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës, që të hiqet dorë nga zbatimi i vendimit, që pranohet nga të gjithë, si legal e legjitim, që t’i jepet fund gjendjes së paligjshmërisë dhe antikushtetuese me targat serbe.

Sikur Shqipëria, të kishte ndjekur të paktën një politikë modeste ndaj Kosovës, korrekte, jo vetëm për syrin e të huajve, por edhe të shqiptarëve, presidenti i Serbisë dhe institucionet tjera serbe do të kishin qenë në një situatë krejtësisht tjetër, dhe nuk do të mund të ndikonin që Perëndimi të ushtrojë trysni ndaj sjelljeve minimaliste legjitime të institucioneve tona.

Pra, sikur Rama të ishte në anën e drejtë shqiptare, atëherë Serbia do të ndodhej në defensivë diplomatike, dhe madje të pranimit të marrëveshjeve pa kushte me Kosovën, për faktin se shqiptarët i kanë bërë kompromise të panumërta serbëve.

Pse?

Shqipëria me pozicionimin e saj të fuqishëm kundër Rusisë, me ofrimin e bazës së saj për trupat amerikane të ndërhyrjes së shpejtë të NATO-s, dhe duke qenë po ashtu vetë anëtare e NATO-s, e ka mundësinë dhe luksin, që të ushtrojë trysni ndaj Serbisë, si për Kosovën, si për hapjen e temave për krimet dhe gjenocidet që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve, përfshirë ato gjatë luftërave ballkanike edhe brenda territorit shqiptar, si në masakrën e Lumës dhe të tjera.

Por, Rama e ka bërë dhe e bën pikërisht të kundërtën. Godet Kosovën, në vend të Serbisë, duke e imituar me përpikëri edhe Enver Hoxhën, diktatorin nga më të egrit, i cili jo vetëm që nuk i ndihmoi shqiptarët e Kosovës, që të paktën, nëse jo të bashkoheshin me Shqipëri, por të gëzonin statusin e Republikës, ai dërgoi dy korpuse ushtarake së bashku me serbët dhe forcat jugosllave, dhe ato komuniste të Kosovës, që të eliminonin forcat nacionaliste shqiptare, të cilat ishin shumë të fuqishme, dhe të gatshme të bënin edhe shtet më vete, po të mos kishte ndodhur një tradhti e dyfishtë, e shqiptarëve komunist nga Shqipëria dhe e atyre nga Kosova!

Të ndodhur në këtë situatë, institucionet e Kosovës, përveç se duhet të rishikojnë dhe të bëjnë publike favoret që qeveria Rama, po ia bën Serbisë, duhet që të ndërtojnë një strategji, që e parashikon, oscilimin politik të Shqipërisë në favor të Serbisë, dhe në disa raste, si ka ndodhur në diplomaci edhe kundër Kosovës!

Image
Daniel Serwer, parashikon se Serbia do bëhet me Kinën

Edi Rama, luan në intrgigën serbe, pavarësisht që për serbët është më e rëndësishme, se çdo gjë tjetër, se “Serbisë i duhet një përqafim nga ariu rus”, një paradigmë që intelektuali amerikan, Daniel Server, thotë se ia kishte thënë vet Ivica Daçiqi, aso kohe ministër i Jashtëm, dhe që pritet të bëhet sërish.

Pra, në vend që Shqipëria të godasë mbi këtë lloj paradigme serbe, dhe bazuar në realitetin dhe informacionet e panumërta të shërbimeve sekrete, se Serbia, pushtetet e saja janë të kryqëzuara me pushtetet ruse, përfshirë me kulminacionin e tyre, mos dënimin e gjenocidit rus në Ukrainë dhe mos vënies së sanksioneve Rusisë, dhe madje të përfitimit me marrëveshje të favorshme nga Moska, e bën krejtësisht të qartë çmendurinë e Ramës, përballë shqiptarëve në këtë realitet.

Pra, trysninë duhet ta shohim, më shumë se sa triumf të Serbisë, si triumf të “Kalorësit të ortodoksisë”, z.Rama.

Nuk do ta kalonte “lumin”, kësaj here Serbia, pa ndëshkim, sikur Shqipëria të ishte objektivisht në anën tonë!

Serbia do të kalojë në anën e Kinës?!

Unë e mbështesë deklarimin e fundit të ekspertit amerikan Server, (pavarësisht se e kam afirmuar edhe vetë tashmë gati një vit) se Perëndimi është me të kotë duke e pritur kthimin e Serbisë në anën e tij, e cila pritje vetëm sa po i dëmton shqiptarët dhe Kosovën, dhe po lëndon raportet. Pra, kur lufta të ketë mbaruar me humbje të Rusisë, Serbia do të kthehet kah Kina! “Perëndimi do të presë vendosjen e sanksioneve. Unë pres që Serbia ta refuzojë atë – siç ka bërë që nga shkurti ... Kjo mund të ndodhë kur Moska të humbasë luftën në Ukrainë ... është më realiste (pritja) që Serbia t’i drejtohet Kinës sesa Perëndimit”, sipas Serverit.

SHBA-të vazhdojnë ta shpallin Kinën si “kërcënimi kryesor strategjik” ndaj saj, por edhe rendit botëror.

"Republika Popullore e Kinës është konkurrenti i vetëm në botë me qëllimin për të ndryshuar rendin ndërkombëtar dhe, gjithnjë e më shumë, me fuqinë për ta bërë këtë", u ka thënë gazetarëve të enjten në Pentagon Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Pra, Serbia është kundër çdo rrjedhe dhe aleance me Perëndimin, dhe vazhdon ta shtyjë dhe blejë kohën, për të arritur tek një gjendje e re gjeopolitike, qoftë duke shpresuar në një fitore apo në mbijetimin e Rusisë, qoftë duke shpresuar që Kina së shpejti të shndërrohet në një superfuqi imponuese.

Kah do t’ia mbajë Rama herës tjetër, nëse nuk do të merret deri atëherë në burg!?

Image
Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-ve, Lloyd Austin duke folur në një takim me media në Pentagon.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat