“Kush e vrau Haki Imerin?”!

Aktuale

“Kush e vrau Haki Imerin?”!

Nga: Idriz Morina Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 18:15
Foto ilustrim: Viktimat e vrasjeve politike

Kanë kaluar sot 23 vjet nga momenti kur arbitrarisht nga persona të maskuar e me uniformë të UÇK-së, e rrëmbyen arsimtarin e gjuhës angleze, njëherit përkthyes Haki Imerin.

Si ishte duke u kthyer nga shkolla ku jepte mësim me dekada. Ajo ishte dita e fundit që u pa me nxënësit e tij, përshëndetja e fundit. Por, familja e tij, shumica as nuk kishin arritur t’ia jepnin përshëndetjen e fundit, as lamtumirën. Askush nuk mund ta mendonte se ai nuk do të kthehej më.

Haki Imeri, ishte aktivist politik që nga krijimi i LDK-së, dhe aso kohe kryetar i LDK-së në bashkësinë e Turiçevcit, vendlindja e tij, dhe anëtar i kryesisë së degës së saj në Skenderaj.

Familja, dhe për aq sa ka mundur ta hetojnë mediat rastin, përfshirë, që ai u bë pjesë e hetimit dhe mbledhjes së dëshmive nga gjykata speciale, rezulton se motivi i vrasjes është politik, po ashtu edhe urdhërdhënësit dhe vrasësit besohet se janë anëtarë të Skuadrës Vrasëse të SHIK-ut.

Tashmë kaluan 23 vite, dhe ndoshta së shpejti do të vijnë lajme të mira për ndriçimin e kësaj vrasje dhe vrasjeve të tjera politike.

Sipas informacioneve që disponojnë disa familjarë, Gjykata speciale e ka hetuar rastin dhe absolutisht i kanë faktet dhe provat.

“Dhe sigurisht se edhe e dinë se kush janë pjesëmarrësit në vrasje”, thotë ky burim. Po ashtu besojnë thellësisht se Gjykata speciale do ta zbardhë këtë rast.

“Jemi të sigurtë se Gjykata speciale do ta zbardhë këtë rast. Besojmë tek prokurorët amerikan dhe te specialja, dhe se ata do ta zbardhin këtë rast dhe të tjera raste, të vrasjeve politike”.

Ky rast mund të fillojë të gjykohet me fillimin e procesit të gjykimit të vrasjeve politike në Hagë.

Janë të hetuara pothuajse të gjitha vrasjet politike, ndër to edhe vrasja e Haki Imerit.

Gjykata speciale besohet se u krijua pasi shumë lëndë me motive të vrasjeve politike dhe të krimit të organizuar u trajtuan, por nuk dhanë rezultate sepse “zbulimet e vrasjeve çonin në luftë kundër urdhërdhënësve, pra i dërgonte në adresa të krerëve të partive politike, që dikur ishin bashkëpunëtorë të UDB-ës e më vonë anëtar të SHIK-ut”, vlerësojnë familjarët.

“Shumëherë na është bërë pyetja se, kush e vrau Haki Imerin?”

“Përgjigjen për këtë e prisnim nga organet kompetente sepse ato e kishin mandatin të jepnin përgjigje në një pyetje të tillë edhe pse nuk na mungonte njohuria në lidhje me këtë krim të llahtarshëm, i cili është bërë nga SHIK-u, shërbim i cili është krijuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, të cilën e drejtonte si në aspektin politik edhe të nëntokës, Hashim Thaçi”, shkruante vëllai i Hakiut, në një letër publike, për të dëshmuar gjithëçfarë e mundonte këtë familje, që kurrë më as të gjallët nuk e patën jetën e tyre të qetë.

Madje, të qetë nuk e patëm dhe nuk e kemi as ne që shkruam e po shkruajmë për këto të vërteta.

Disa gazetarë, si unë, jemi përndjekur, disa janë vrarë, qe 23 vite vazhdojmë të përndiqemi, me gjithë familje, pa mundësi punësimi në institucione publike, edhe kur punësohet dikush apo e fiton një të drejtë, ajo i mohohet. Prokuroria i mbyllë, i shtrembëron apo i fshehë kërcënimet, dhunën dhe të vërtetat, për të mbetur të varrosura, bashkë me vrasjet politike.

Nga njerëzit që janë nën urdhrat e strukturave kriminale, brenda shtetit, në administratë, në drejtësi, vazhdon viktimizimi.

Meqë atë vrasje e bën njerëz të SHIK-ut, krimi ka një strukturë komanduese dhe të njohur.

Familja beson, se meqë vrasja ndodhi në mandatin e Qeverisë së Përkohshme të udhëhequr nga Hashim Thaçi, dhe meqë po ashtu kanë ndodhur një seri vrasjesh politike gjatë ushtrimit të funksionit të saj, duhet të hetohet rasti nga kjo perspektivë.

Hashim Thaçi me 22 nëntor 2016, 17 vjet pas vrasjes kishte shkuar në shtëpinë e Haki Imerit në fshatin Vojnik, i shoqëruar nga dy veta, si beson familja, “për ta la veten për atë vrasje”, dhe me shumë gjasë besojnë disa se donte t’ia hidhte fajin të tjerëve.

Por, ajo që mbeti enigmë edhe për familjen është se pse ai shkoi pas 17 vitesh, dhe se e kishte bërë këtë kallxim më parë, madje edhe pse ai akuzohej nga anëtarë të familjes publikisht, se mund të ishte urdhërdhënës.

Madje presidenti i atëhershëm, po atë kohë u kishte bërë thirrje autoriteteve të hetimit, që të ndriçonin vrasjen politike.

Sidoqoftë, të dyshuarit për urdhërdhënie ndodhen në Hagë, përfshirë denoncimin që bënte Thaçi, dhe gjykata speciale është rasti i vetëm për shfajësim, aktualisht!

Sipas dëshmisë së djalit të heroit Imeri, Kastriotit, ngjarja ka ndodhur pasi e mbaron mësimin në fshatin Vojnik, rreth orës 12.00, ditë e marte, teksa Hakiu niset rrugës për në Burojë bashkë me kolegun, Agim Januzi, diku larg shkollës 1.5 km, një “veturë e zezë ua pret rrugën, ndalet dhe nga ajo veturë zbresin disa ushtarë me “veshje të zeza” dhe i kërkojnë mësuesit të futet në veturë!”

Sipas kësaj dëshmie, Haki ishte vrarë disa orë më vonë në afërsi të maleve të Açarevës, rreth 100 metra larg një shitoreje, diku pa u bërë një orë nga kidnapimi, ndërmjet orës 12.30-13.00.

Ende vazhdon pyetja dramatike e familjes, duke e përsëritur atë, që ia bën të tjerët: “Shumëherë na është bërë pyetja se, kush e vrau Haki Imerin?”!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat