Këshilltari i Presidentit Trump shkeli ligjin, thotë agjencia e mbikëqyrjes

Amerika

Këshilltari i Presidentit Trump shkeli ligjin, thotë agjencia e mbikëqyrjes

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 00:09
Peter Navarro

Në SHBA, një agjenci federale e mbikëqyrjes tha të hënën se këshilltari i Presidentit amerikan Donald Trump për tregtinë, Peter Navarro, ka shkelur me vetëdije dhe me dashje ligjin federal, duke sulmuar kandidatin e atëhershëm për president Joe Biden, ndërkohë që shërbente në funksionet e tij zyrtare.

Zyra e këshilltarit të posaçëm të çështjeve juridike e shpjegon përfundimin e nxjerrë prej saj në një raport prej 13 faqesh dorëzuar zotit Trump, duke e lënë në dorë të presidentit të vendosë se çfarë veprimi disiplinor do të ndërmerret.

Ligji “Hatch” i vitit 1939 kufizon veprimtaritë politike të punonjësve federalë përveç presidentit dhe nënpresidentit.

"Hetimi i Zyrës arrin në përfundimin se Dr. Navarro shkeli dispozitat e Ligjit ‘Hatch’ që ndalojnë përdorimin e autoritetit të tij zyrtar për të ndikuar në zgjedhje, duke u përfshirë në veprimtari politike gjatë paraqitjeve zyrtare në media dhe në llogarinë e tij zyrtare në Twitter", tha agjencia.

Nga 26 maji deri më 19 tetor, zoti Navarro sulmoi ashpër zotin Biden, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, si dhe kandidaten për nënpresidente Kamala Harris, gjatë të paktën gjashtë intervistave në media në të cilat fliste në cilësinë e tij zyrtare, thuhet në raport.

"Dr. Navarro shpesh sulmonte zotin Biden në lidhje me marrëdhëniet e tij me Kinën dhe nganjëherë e akuzonte si "të kompromentuar" dhe të ekspozuar ndaj "blerjes" nga Kina, madje duke e mbiquajtur “Bideni i Pekinit", thuhej në raport.

Zyra e Këshilltarit të Posaçëm tha se zoti Navarro zgjodhi të mos i përgjigjej raportit dhe vazhdoi me sjellje të tilla./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat