Megjithë shtimin e rasteve me COVID, bizneset në Kaliforni u rezistojnë mbylljeve

Amerika

Megjithë shtimin e rasteve me COVID, bizneset në Kaliforni u rezistojnë mbylljeve

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 16:36
Kaliforni

Kalifornia, shteti më i populluar në Shtetet e Bashkuara, po përjeton një rritje të rasteve me Covid, duke bërë që guvernatori të lëshojë një urdhër rajonal për qëndrimin në shtëpi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelesi se disa biznese po e kundërshtojnë përsëri këtë masë, duke thënë se bllokimi është i padrejtë.

Shenjat që tregojnë se Kalifornia është përsëri në izolim janë kudo. Sipas urdhërit shtetëror apo vendor, disa nga rajonet më të populluara të Kalifornisë janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi, këtë herë gjatë festës së Krishtlindjes.

“E bëj për të ndihmuar punonjësit e restoranteve. Ndjehem keq për ta” thotë Joe, një banor i Kalifornisë Veriore që po merr ushqim me porosi në restorant.

Sipas urdhërit të ri, restorantet duhet të mbyllin ambjentet e jashtme dhe të shërbejnë vetëm ushqim me porosi. Disa pronarë restorantesh po e kundërshtojnë këtë urdhër.

“Nuk do t'i respektojmë këto urdhra. Nuk mund të mbijetojmë vetëm me shërbimet me porosi dhe shpërndarje sepse po japim 30 cent për çdo dollar që marrin nga përdorimi i aplikacioneve të Silicon Valley-it", thotë Andrew Gruel, pronar dhe kuzhinier në restorantin Slapfish.

Shumë pronarë biznesesh të vogla thonë se urdhri i qëndrimit në shtëpi është i padrejtë. Dyqanet me pakicë ende mund të punojnë në ambjente të mbyllura me kapacitet 20% dhe industria e argëtimit mund të vazhdojë punën. Por sallonet e bukurisë janë të mbyllura.

Parukieri Lu Garcia Reynoso u trajnua për të dizinfektuar hapësirën në biznesin e tijdhe ka respektuar dy urdhra izolimi që nga marsi, por jo këtë herë.

“Nuk është se mendojmë se Covid-i nuk ekziston. Ne duam të marrim të gjitha masat e nevojshme paraprake . Duam t’i zbatojmë rregullat por kur sheh gjithë bizneset e mëdha që vazhdojnë të punojnë edhe pse njerëzit e tyre nuk janë trajnuar për këtë situatë, e bën pak të vështirë për ne të vazhdojmë të zbatojmë rregullat”.

Disa pronarë biznesi thonë se është gjithashtu e vështirë të ndjekësh urdhërat e guvernatorit Gavin Newsom kur në nëntor ai vetë mori pjesë në një festë ditëlindjeje me një grup njerëzish ndërsa u tha kalifornezëve të mos bënin festime të tilla.

“Njerëzit që shkruajnë rregullat po i thyejnë vetë dhe kjo na tregon dy gjëra. Së pari, ata nuk duan t’ia dinë për ne dhe, së dyti nuk duan t’ia dinë për rregullat ose që gjërat nuk janë aq serioze sa t’i ndiqnin këto rregulla”, thotë Adrew Gruel.

"Dua t’ju kërkoj ndjesë sepse duhet të zbatoj ato që them, dhe jo vetëm të bëj moral", tha guvernatori Newsom.

Guvernatori i Kalifornisë thotë se rritja e shpejtë e shtrimeve në spital dhe burimet e pakta e bëjnë të domosdoshme që kaq shumë kalifornezë të qëndrojnë në shtëpi.

Urdhri i qëndrimit në shtëpi në Kaliforni do të zgjasë të paktën tre javë dhe fillon në çdo njërin nga pesë rajonet e këtij shteti kur kapaciteti i reparteve së kujdesit intensiv të spitalit shkon në 85 për qind.

"Problemi është se ne nuk kemi staf të mjaftueshëm për t'u kujdesur për të gjithë dhe atëherë situata bëhet e rrezikshme në spitale kur nuk ke personel të mjaftueshëm për t'u kujdesur për të gjithë që janë shumë të sëmurë", thotë Russell Buhr, në spitalin UCLA.

“Mendoj se të gjithë duhet të respektojnë dhe të zbatojnë të gjitha ligjet. Ka pasoja për restorantet dhe për këdo që liçensohet nga ndonjë agjenci shtetërore ose agjenci e qarkut për të bërë punën. Nëse ata kundërshtojnë ligjet, mund t’u hiqen liçencat e biznesit", thotë Lester Friedman, kryetar i bashkisë së Beverly Hills.

Por zyrtarët e zbatimit të ligjit në disa qarqe të Kalifornisë Jugore thonë se nuk do të marrin masa ndaj atyre që thyejnë urdhrin e qëndrimit në shtëpi.

“Departamenti i sherifit të qarkut Riversajd nuk do të shantazhohet apo përdoret si vegël kundër banorëve të qarkut për të vënë në zbatim urdhrat e guvernatorit”, thotë Chad Bienco, sherifi i qarkut.

Ndërsa bizneset e vogla parashikojnë pasoja ekonomike nga bllokimi, mjekët po përgatiten për atë që do të sjellë festa e Krishtlindjes. Guvernatori Newsom thotë se nuk pret që të godasë një valë tjetër e Covid-it pasi po afron vaksinimi./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat