Ndjekësit e llogarisë së Shtëpisë së Bardhë në Twitter, nuk do t’i kalojnë automatikisht Biden-it

Amerika

Ndjekësit e llogarisë së Shtëpisë së Bardhë në Twitter, nuk do t’i kalojnë automatikisht Biden-it

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 15:57
Profili i Trumpit

Kompania e medias sociale Twitter bëri të ditur të martën se nuk do t’i transferonte automatikisht miliona ndjekës të llogarisë zyrtare të qeverisë nga administrata Trump tek ajo e zotit Biden, por do t’u jepte përdoruesve mundësinë për të qëndruar ose jo.

Ky veprim prek ndjekësit e llogarive që administrohen nga qeveria sikurse ajo e Shtëpisë së Bardhë, @WhiteHouse si dhe ajo e Presidentit të SHBA-së, @POTUS, të cilat do t'i kalojnë Joe Biden-it kur ai të marrë zyrtarisht detyrën e presidentit në janar.

Vendimi i Twitter-it nuk do të ndikojë në llogarinë personale të zotit Trump, @realDonaldTrump, e cila përdoret shpesh nga Presidenti Donald Trump dhe ka rreth 88 milionë ndjekës.

Llogaritë zyrtare të qeverisë "nuk do t’i mbajnë automatikisht ndjekësit që kanë aktualisht”. Në vend të kësaj, Twitter-i do të njoftojë ndjekësit e këtyre llogarive se përmbajtja do të arkivohej dhe t'u japë mundësinë atyre të zgjedhin nëse duan të vazhdojnë të ndjekin llogarinë nën administratën e re të zotit Biden", thuhej në një deklaratë të Twitter-it.

"Për shembull, njerëzit që ndjekin llogarinë e Shtëpisë së Bardhë do të njoftohen se llogaria është arkivuar nën emërtimin @WhiteHouse45 dhe do t'u jepet mundësia të ndjekin llogarinë e re".

Që pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, Twitter-i ka punuar për transferimin e llogarisë së përdorur gjerësisht nga Presidenti Trump, duke bërë të ditur gjithashtu se si qytetar i thjeshtë, zoti Trump nuk do të ketë aq liri veprimi në tejkalimin e rregullave për postimet e tij.

Megjithësë nuk ndiqet aq shumë sa llogaria personale e zotit Trump, llogaria qeveritare në twitter e presidentit, @POTUS, ka rreth 33 milionë ndjekës dhe ajo e Shtëpisë së Bardhë, @WhiteHouse, 26 milionë.

Sipas Twitter-it transferimi do të ndikojë edhe tek llogari të tjera sikurse ajo e nënpresidentit @VP; Zonjës së Parë @FLOTUS; Sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë @PressSec; Shefit të Kabinetit @Cabinet dhe llogarisë në spanjisht të Shtëpisë së Bardhë @LaCasaBlanca.

Muajin e kaluar, Twitter-i bëri të ditur se çdo trajtim i veçantë që kishte gëzuar zoti Trump do të përfundonte me presidencën e tij.

"Qasja e Twitter-it ndaj udhëheqësve botërorë, kandidatëve për poste publike bazohet në parimin që njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin atë që udhëheqësit e tyre thonë, me një kontekst të qartë", tha kompania me bazë në San Francisko.

"Kjo politikë zbatohet për udhëheqësit aktualë botërorë dhe kandidatët për funksione publike dhe jo për qytetarët privatë, kur ata nuk i mbajnë më këto pozicione", thuhej në deklaratën e Twitter-it./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat