Fauci: Vaksinimi i shpejtë, thelbësor për ngadalësimin e varianteve të Covid-19

Amerika

Fauci: Vaksinimi i shpejtë, thelbësor për ngadalësimin e varianteve të Covid-19

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 20:59
Anthony Fauci

Mbrojtja më e mirë kundër varianteve të rinj të koronavirusit dhe pandemisë së COVID-19 është vaksinimi i sa më shumë njerëzve sa më shpejt që të jetë e mundur, tha të hënën eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci.

Gati 700 raste të lidhura me variante të koronavirusit janë identifikuar në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët amerikanë në një konferencë shtypi. Prej tyre, 690 raste janë nga një variant më ngjitës i zbuluar së pari në Britani, i quajtur B.1.1.7, i cili në mars mund të bëhet varianti dominues i Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë testime në shkallë të gjërë për varantet e reja të koronavirusit, kështu që numri aktual i rasteve të tyre ka të ngjarë të jetë më i lartë se shifrat zyrtare. Të gjitha viruset kalojnë nëpër faza të mutacionit, por shkencëtarët shqetësohen për ndryshimet tek viruset që i bëjnë ata më ngjitës ose më vdekjeprurës.

Dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, tha se ndërsa është e arsyeshme të studiohen vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna për të parë nëse është i mundur vaksinimi me një dozë, duhen muaj për përfundimin e studimeve të këtij lloji, duke i bërë ato pothuaj të padobishme.

Dr. Fauci inkurajoi njerëzit që të marrin dy doza të vaksinave kundër Covid-19.

"Qasja optimale do të ishte të vazhdojmë të vaksinojmë sa më shumë njerëz me dozën e parë, por gjithashtu duke u siguruar që njerëzit në kohë të marrin edhe dozën e dytë", tha Dr. Fauci.

Mbi 17 milionë doza vaksinash deri tani u janë dhënë njerëzve mbi 65 vjeç, tha Andy Slavitt, këshilltar i lartë i ekipit të reagimit ndaj pandemisë së COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë. Më shumë se 41 milionë doza vaksinash u janë dhënë më shumë se 31 milionë amerikanëve, sipas të dhënave të Qendrave të Shëndetit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të publikuara të dielën.

Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky i këshilloi njerëzit që të vazhdojnë të mbajnë maska dhe që shtetet të mos lehtësojnë rregullat për mbajtjen e tyre. Administrata e Presidentit Biden u ka kërkuar amerikanëve të mbajnë maska në njëqind ditët e para të mandatit të saj./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat