Biden njofton sanksione të reja kundër gjeneralëve të lartë të Mianmarit pas grushtit të shtetit

Amerika

Biden njofton sanksione të reja kundër gjeneralëve të lartë të Mianmarit pas grushtit të shtetit

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 22:03
Joe Biden

Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se kishte miratuar një urdhër ekzekutiv që hap rrugën për sanksione të reja ndaj zyrtarëve ushtarakë të Mianmarit dhe bizneseve të tyre pasi ushtria arrestoi udhëheqësit e zgjedhur dhe mori pushtetin më 1 shkurt.

Presidenti Biden tha se urdhri ekzekutiv do t'i mundësonte administratës së tij "të sanksiononte menjëherë udhëheqësit ushtarakë që drejtuan grushtin e shtetit, interesat e tyre të biznesit si dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre".

Ushtria e Mianmarit arrestoi udhëheqësit civilë, duke përfshirë edhe laureaten e çmimit Nobel Aung San Suu Kyi, dhe shpalli një gjendje emergjence njëvjeçare, duke përmendur pretendimet se zgjedhjet e nëntorit ishin manipuluar. Komisioni zgjedhor ka hedhur poshtë ankesat e ushtrisë.

Presidenti Biden njoftoi gjithashtu ngrirjen e 1 miliard dollarëve të "fondeve qeveritare të Mianmarit të mbajtura në Shtetet e Bashkuara", gjë që do të ndalonte gjeneralët të kenë qasje në këto fonde.

Ai nuk tha në mënyrë specifike se kush do të goditej nga sanksionet e reja.

"Ne do të identifikojmë raundin e parë të objektivave tona këtë javë, dhe gjithashtu do të vendosim kontrolle të forta të eksporteve. Ne po ngrijmë pasuritë nga të cilat përfiton qeveria birmaneze, ndërsa vazhdojmë mbështetjen tonë për kujdesin shëndetësor, grupet e shoqërisë civile dhe fusha të tjera nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt njerëzit e Mianmarit", tha presidenti Biden.

Protestuesit dolën në rrugët e Mianmarit për të pestën ditë të mërkurën, duke u zotuar të vazhdonin demonstratat kundër grushtit të shtetit edhe pasi një grua u qëllua dhe u plagos gjatë përleshjeve një ditë më parë.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vendosin masa shtesë dhe do të punojnë me vendet e tjera për t'i bërë presion autorëve të grushtit të shtetit, tha presidenti Biden.

Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të vënë në shënjestër komandantin e përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili udhëhoqi grushtin e shtetit. Min Aung Hlaing dhe gjeneralë të tjerë janë tashmë nën sanksionet e SH.B.A.-së të vendosura në vitin 2019 për abuzimet ndaj myslimanëve Rohingya dhe pakicave të tjera.

Shtetet e Bashkuara mund të vënë në shënjestër gjithashtu dy konglomeratët kryesore të ushtrisë. Myanmar Economic Holdings Limited dhe Myanmar Economic Corp janë kompani me investime që përfshijnë sektorë të ndryshëm si bankat, telekomunikacionet dhe veshjet.

Administrata Biden po punon për të formuar një përgjigje ndërkombëtare ndaj krizës, përfshirë bashkëpunimin me aleatët në Azi të cilët kanë lidhje më të ngushta me Mianmarin dhe ushtrinë e tij.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe homologu i tij japonez Toshimitsu Motegi ranë dakord të nxisin autoritetet e Myanmarit që të ndalojnë menjëherë dhunën e tyre kundër protestuesve.

Administrata Biden po punon gjithashtu për politikën e saj ndaj Mianmarit me ligjvënësit demokratë dhe republikanë në Kongres.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan foli të mërkurën me udhëheqësin republikan të Senatit Mitch McConnell, i cili ka një interes afatgjatë për atë vend dhe një marrëdhënie të ngushtë me zonjën Suu Kyi, tha një ndihmës i senatorit McConnell./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat