Pezullohet punonjësi i Shtëpisë së Bardhë, pasi u njoftua se kërcënoi gazetaren

Amerika

Pezullohet punonjësi i Shtëpisë së Bardhë, pasi u njoftua se kërcënoi gazetaren

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 06:29
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki duke informuar gazetarët

Shtëpia e Bardhë tha të premten se pezulloi përkohësisht një ndihmës për shtypin pasi ai thuhet se kërcënoi një gazetare e cila po punonte për një artikull në lidhje me marrëdhënien e tij romantike me një tjetër gazetare.

Revista "Vanity Fair" njoftoi të premten se zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë TJ Ducklo kishte kërcënuar - duke përdorur edhe fjalët "Unë do të shkatërroj ty" - një korrespondente të grupit mediatiak Politico, e cila po hartonte një artikull në lidhje me marrëdhëniet e zotit Ducklo, të zbuluara së fundmi, me një reportere të revistës Axios, Alexi McCammond.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shkruajti në Twitter se zoti Ducklo ishte pezulluar për një javë pa pagesë dhe se ai nuk do të punojë më me reporterët e Politico-s.

Zonja Psaki tha se zoti Ducklo i kishte kërkuar falje gazetares Tara Palmeri, "me të cilën ai pati një bisedë të nxehtë për jetën e tij personale... Ai është i pari që pranon se ky nuk është standardi i sjelljes i përcaktuar nga Presidenti".

Ducklo, McCammond dhe Palmeri nuk iu përgjigjën email-ve që kërkonin komente. Një zëdhënëse e Axios tha se zonja McCammond informoi për marrëdhënien redaktorët e saj në muajin nëntor dhe u transferua nga detyra ku mbulonte Shtëpinë e Bardhë.

Pezullimi vjen pasi Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën muajin e kaluar, u zotua të mbante një qëndrim të ashpër për çdo sjelle të padenjë në radhët e anëtarëve të administratës së tij.

"Nëse jeni duke punuar ndonjëherë me mua dhe unë dëgjoj se trajtoni pa respekt një koleg tjetër, i flisni dikujt me fodullëk, ju premtoj se do t'ju pushoj nga puna në vend ... pa nëse dhe pa por", u tha Presidenti Biden të emëruarve politikë gjatë një ceremonie betimi virtuale. "Të gjithë kanë të drejtën të trajtohen me mirësjellje dhe dinjitet".

Zonja Psaki u tha gazetarëve gjatë një konference të premten se Presidenti Biden nuk ishte i përfshirë në vendimin për pezullimin e zotit Ducklo dhe theksoi se Shtëpia e Bardhë e mori çështjen seriozisht.

Sjellja e Ducklo-s ishte "plotësisht e papranueshme. Ai e di këtë", tha Psaki. "Ne kemi bërë biseda me të ... Kjo nuk do të ndodhë më kurrë."/Voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat