Gjykatësi federal ndalon zbatimin e moratoriumit 100 ditor të Presidentit Biden për dëbimet

Amerika

Gjykatësi federal ndalon zbatimin e moratoriumit 100 ditor të Presidentit Biden për dëbimet

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 21:21
SHBA

Një gjykatës federal të martën vonë ndaloi me afat të pacaktuar administratën e Presidentit Joe Biden që të zbatonte një moratorium 100-ditor për shumicën e dëbimeve.

Gjykatësi amerikan Drew Tipton lëshoi një vendim paraprak të kërkuar nga Teksasi, sipas të cilit moratoriumi shkelte ligjin federal dhe rrezikonte të vendoste kosto shtesë mbi shtetin.

Presidenti Biden propozoi një pauzë 100-ditore mbi dëbimet gjatë fushatës së tij si pjesë e një rishqyrtimi më të gjerë të zbatimit të politikave të imigracionit dhe një përpjekje për të pezulluar politikat e ish-Presidentit Donald Trump. Zoti Biden ka propozuar një projektligj gjithëpërfshirës për reformimin e sistemit të imigracionit që do të mundësonte legalizimin e rreth 11 milionë njerëzve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Ai gjithashtu ka vendosur udhëzime të tjera mbi grupet e imigrantëve të paligjshëm që agjentët e imigracionit dhe doganave duhet të vënë në shënjestër në operacionet e zbatimit të ligjit.

Gjykatësi Tipton, i emëruar nga ish Presidenti Trump, fillimisht vendosi më 26 Janar se moratoriumi shkelte ligjin federal për procedurat administrative dhe Shtetet e Bashkuara nuk arritën të dëshmonin se pse një pauzë mbi dëbimet ishte e justifikuar. Një vendim për ndalimin e përkohshëm i lëshuar nga gjykatësi më herët pritej të skadonte të martën.

Në vendimin e gjykatësit Tipton nuk kërkohet rifillimi i dëbimeve me ritmin e tyre të mëparshëm. Edhe pa një moratorium, agjencitë e imigracionit kanë kompetenca të gjera në zbatimin e dëbimeve dhe trajtimin e rasteve të imigracionit të paligjshëm.

Por në ditët që pasuan vendimin e tij, autoritetet dëbuan 15 persona në Xhamajka dhe qindra të tjerë në Amerikën Qendrore. Administrata e Presidentit Biden gjithashtu ka vazhduar dëbimin e emigrantëve bazuar në një proces të veçantë të filluar nga zyrtarët ish-presidentit Trump, të cilët përdorën ligjin e shëndetit publik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lufta ligjore mbi ndalimin e dëbimeve është një shenjë e hershme e kundërshtimit republikan ndaj përparësive të Preisdentit Biden për imigracionin, ashtu siç bënë demokratët dhe grupet ligjore pro-emigrantëve ndaj propozimeve të ish-presidentit Trump. Pothuajse katër vjet para vendimit të gjykatësit Tipton, ish-preisdenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ndalim të udhëtimeve nga shtatë vende me popullsi kryesisht myslimane që shkaktoi kaos në aeroporte. Grupet ligjore e paditën me sukses administratën e ish-presidentit Trump, duke ndalur zbatimin e këtij urdhëri.

Ende nuk është e qartë nëse administrata e zotit Biden do ta apelojë vendimin e fundit të gjykatësit Tipton. Departamenti i Drejtësisë nuk kërkoi ngrirjen e vendimit të mëparshëm kundër pezullimit të përkohshëm të dëbimeve nga gjykatësi Tipton./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat