Biden: Vaksina të mjaftueshme për shumicën e amerikanëve nga fundi i pranverës

Amerika

Biden: Vaksina të mjaftueshme për shumicën e amerikanëve nga fundi i pranverës

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 23:58
President Joe Biden

Presidenti Joe Biden tha të enjten se po rritet ritmi i imunizimit të amerikanëve kundër Covid-19 nga administrata e tij, duke theksuar se që kur ai mori detyrën në janar janë bërë 50 milionë vaksinime.

Presidenti Biden tha se Shtëpia e Bardhë do të bëjë "përparim edhe më të shpejtë" në furnizimin dhe shpërndarjen e vaksinave muajin tjetër. Ai vuri në dukje se një vaksinë e tretë pritet të marrë miratimin për përdorim emergjent këtë fundjavë. Bëhet fjalë për vaksinën me një dozë të kompanisë Johnson & Johnson që po shqyrtohet nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve.

Presidenti këmbënguli se Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) do të marrë vendimin e saj "bazuar në shkencë, jo për shkak të ndonjë presioni politik". Por gjithsesi, ai shprehu një lloj optimizmi, duke thënë, "Nëse FDA miraton përdorimin e kësaj vaksine të re, ne kemi një plan për shpërndarjen e sa të shpejtë që në momentin kur ajo të bëhet e disponueshme nga kompania Johnson & Johnson".

Zoti Biden parashikoi gjithashtu që koha do të vijë, ka të ngjarë në fund të pranverës, kur do të ketë furnizim të mjaftueshëm të vaksinave kundër Covid-19 për këdo në SHBA që e dëshiron atë, por hezitimi për marrjen saj do të kufizojë numrin e njerëzve që në realitet do të jenë të vaksinuar.

"Ne do t’i kemi gati vaksinat", tha zoti Biden, duke parashikuar se kjo pikë mund të arrihet brenda 60 deri 90 ditësh.

Më shumë se 45 milionë amerikanë janë imunizuar me të paktën një dozë të vaksinave të kompanive Pfizer dhe Moderna që kur përdorimi i tyre u miratua nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në Dhjetor, më shumë se 20 milionë prej tyre kanë marrë të dyja dozat e nevojshme.

Presidenti Biden premtoi një "fushatë masive për të arsimuar njerëzit" në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave, me shpresën për të nxitur numrin e kërkesave, ndërsa vendi synon të vaksinojë rreth 80 përqind të të rriturve për të arritur imunitetin e turmës dhe për t'i dhënë fund pandemisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat