Problemet e vaksinimit në Shtetet e Bashkuara

Amerika

Problemet e vaksinimit në Shtetet e Bashkuara

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 19:19
Foto

Ndërsa shumica e popullatës me rrezik të lartë pret të marrë vaksinën kundër koronavirusit, banori i kryeqytetit amerikan Mark Sussman ndërkohë ka marrë të dy dozat e vaksinës Moderna.

“Shfrytëzova rastin nga sistemi jofunksional.”

Ai është 36 vjeç, pa probleme shëndetësore, dhe nuk i plotëson kriteret e vaksinimit.

“I telefonova farmacisë që është pranë vendit ku jetoj, për të pyetur nëse unë dhe bashkëshortja mund të regjistroheshim në listën e pritjes. Ata kishin vaksina të tepërta sepse disa njerëz nuk u paraqitën për të marrë dozat”¸ thotë Mark.

Pas shkrirjes, vaksinat kanë afat gjashtë orë, ndaj gjetja e një individi që dëshiron të vaksinohet, në vend që të hidhen, ka qënë përparësi për disa farmacistë.

Në Uashington, 31-vjeçari David MacMillan që nuk i përket grupit të rrezikuar, përfitoi nga ky rast. Ai u zgjodh rastësisht të vaksinohej ndërsa po blente ushqime në dyqanin Giant që ka edhe farmaci.

“Përgjithësisht shpërndarja e vaksinës ka qënë e vështirë. Jam i kënaqur që u vaksinova. Por fakti që kanë doza shtesë dhe nuk kishin një sistem funksional, është zhgënjyes”, thotë MacMillan.

Daniel Wolk, përfaqësues i supermerkatit Giant, i tha Zërit të Amerikës se raste si të zotit MacMillan janë të rralla dhe se rrjeti i farmacive po zbaton udhëzimet e Departamentit të Shëndetit të Uashingtonit.

Besimi ndaj vaksinës po shtohet, por mungojnë furnizimet. Njerëzve që po presin po u soset durimi, ndërsa nuk arrijnë të sigurojnë takim për marrjen e vaksinës në listat në internet.

Me shpresën për të marrë vaksinën, edhe pse nuk ishin regjistruar, shumë njerëz u grumbulluan pranë një farmacie në qytetin Aleksandria. Në një moment, pronarja Judy Guletat u detyrua të ndalë procesin.

“U bë një radhë e gjatë njerëzish të cilët po ziheshin se kush do të vaksinohej. Ishte një situatë që të copton shpirtin por nganjëherë duhet të thuash ‘Jo’.”

Departamenti i Shëndetësisë në Aleksandri ka ndaluar shkuarjen e individëve që nuk kanë lënë takim, dhe ka ndërtuar një sistem dytësor për të mënjanuar humbjet. Natalie Talis punon në Departamentin e Shëndetësisë.

“Kemi lista me njerëz të gatshëm për marrjen e vaksinës kur dikush mungon nga lista e grupit që ka përparësi. Duhet t’u japim përparësi njerëzve që janë më të rrezikuar nga sëmundja e rëndë dhe vdekja.”

Në të shtatëdhjetat, çifti Dexter është në grupin e më të rrezikuarve. Ata kanë ndjekur rregullat dhe po presin marrjen e dozës së dytë të vaksinës.

“Është turp nëse ka nga ata njerëz që hyjnë pa radhë. Ata po privojnë punonjësit e vijës së parë të frontit dhe njerëzit e rrezikuar që të vaksinohen të parët”, thotë Joyce Dexter.

“Do të kishte qënë mirë të kishim patur qysh në fillim një përpjekje të kordinuar kombëtare. Kjo do të kishte eleminuar shumë pasiguri në zona të caktuara të vendit rreth asaj se kush vaksinohet i pari dhe si realizohet kjo”, thotë Dave Dexter./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat