Presidenti Biden tërheq nga procesi i konfirmimit në Senat kandidaten e tij për shefe të Zyrës së Buxhetit

Amerika

Presidenti Biden tërheq nga procesi i konfirmimit në Senat kandidaten e tij për shefe të Zyrës së Buxhetit

Më: 3 mars 2021 Në ora: 06:28
Neera Tanden

Shtëpia e Bardhë të martën tërhoqi emërimin e Neera Tanden për drejtore të zyrës së saj të buxhetit, duke u përkulur para realitetit politik, ndërsa emërimi i saj u ndesh me kundërshtime të ashpra të lidhura me postimet e saj në Twitter që kanë shqetësuar ligjvënësit.

"Unë kam pranuar kërkesën e zonjës Neera Tanden për të tërhequr emrin e saj nga emërimi për drejtore të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit", tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të shkurtër të martën në mbrëmje.

Megjithatë, Presidenti Biden tha se ai planifikon ta angazhojë atë në një detyrë tjetër në administratën e tij.

Në një letër drejtuar presidentit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, zonja Tanden e pranoi se emërimi i saj ishte ndeshur me vështirësi.

"Për fat të keq, tani duket qartë se nuk ka asnjë rrugë përpara për të marrë konfirmimin dhe unë nuk dua që shqyrtimi i vazhdueshëm i emërimit tim të tërheq vëmendjen nga përparësitë tuaja të tjera", thuhet në letrën e zonjës Tanden.

Zonja Tanden është kritikuar nga republikanët si dhe nga disa demokratë për komentet e ashpra në median sociale, si për shembull për epitetin “Mitchi i Moskës” për udhëheqësin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, apo kur shkruante se “vampirët kanë më shumë zemër se (senatori) Ted Cruz”.

Shumë demokratë nuk u kushtuan rëndësi kritikave, duke u përgjigjur se republikanët i ofruan mbështetje thuajse njëzëri ish-Presidentit Donald Trump, i cili u akuzua për nxitje të sulmit me dhunë në Kapitol, apo kur komentonte në Twitter, si dhe në rastet kur fliste me komente fyese për kundërshtarët.

Image
Senatori demokrat Joe Manchin

Senatori Manchin përmendi “komentet dhe postimet publike” të zonjës Tanden në një deklaratë që bëri muajin e kaluar.

"Unë besoj se deklaratat e saj të hapura partiake do të kenë ndikim toksik dhe dëmtues mbi marrëdhëniet e rëndësishme të punës mes Kongresit dhe kreut të ardhshëm të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit,” tha ai.

Deklarata e tij u kritikua menjëherë me komente që nënvizonin se ky demokrat i moderuar nga shteti i Uest Virxhinias me prirje republikane, ka mbështetur disa nga kandidatët e ish-Presidentit Trump që kishin zgjuar rezistencë të fortë, ndër ta konfirmimin e zotit Richard Grenell për ambasador në Gjermani.

Demokratët kundërshtonin kandidaturën e zotit Grenell si rezultat i komenteve që kishte bërë më parë duke fyer politikanet femra gjatë intervistave apo në internet.

 

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat