Bombarduesi strategjik i SHBA fluturon mbi kryeqytetet baltike

Amerika

Bombarduesi strategjik i SHBA fluturon mbi kryeqytetet baltike

Më: 3 mars 2021 Në ora: 19:09
U.S. Air Force B-52

Forca Ajrore e SHBA tha se një bombardues amerikan me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi fluturoi të mërkurën mbi kryeqytetet e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.

Fluturimi u bë në shenjë solidariteti me aleatet e NATO-s, mes shqetësimeve të Perëndimit për një shtim të agresivitetit të Rusisë.

"Ky mision dërgon një mesazh të qartë se angazhimi ynë ndaj aleatëve tanë të NATO-s është i patundur," tha gjenerali Jeff Harrigian, komandanti i Forcës Ajrore të SHBA në Evropë dhe në Afrikë.

"Ne jemi këtu së bashku", tha ai.

Lituania, Letonia dhe Estonia që dikur qeveriseshin nga Moska, janë sot anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Të treja vendet baltike kanë pranuar trupa të NATO-s dhe të SHBA-së në tokën e tyre që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, e cila nuk është anëtare e aleancës.

Bombarduesi, që fluturoi të mërkurën, është një nga katër avionët e këtij lloji të dislokuar në Norvegji më 22 shkurt, për të operuar në rajonin strategjik të Arktikut për disa javë.

Është hera e parë që ky lloj avioni vendoset në Norvegji. Bombarduesit shoqërohen nga një personel i Forcës Ajrore të SHBA prej 200 vetash.

Norvegjia, anëtare themeluese e NATO-s, ka kufi të përbashkët me Rusinë në Arktik./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat