Biden: Trupat amerikane mund të mos tërhiqen brenda afateve nga Afganistani

Amerika

Biden: Trupat amerikane mund të mos tërhiqen brenda afateve nga Afganistani

Më: 26 mars 2021 Në ora: 00:10
Afganistan

Presidenti Joe Biden pranoi të enjten se rreth 2,500 trupa amerikane mund të vazhdojnë të qëndrojnë ende në Afganistan edhe pas 1 majit, afati për të cilin u ra dakord një vit më parë me Talebanët, për largimin e forcave amerikane nga ky vend.

"Do të jetë e vështirë të përmbushet afati i 1 majit", u tha zoti Biden gazetarëve gjatë një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, e para e tij në detyrën e presidentit.

Presidenti Biden përmendi ato që i quajti "arsye taktike" lidhur me vonesat e mundshme, por tha se edhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk e përmbushin afatin, ai nuk mund të përfytyronte që trupat amerikane të vazhdonin të qëndronin në Afganistan edhe gjatë vitit të ardhshëm.

"Nuk do të ishte ky rasti", tha ai. "Nuk është qëllimi im të qëndrojmë atje për një kohë të gjatë".

"Pyetja është si dhe në cilat rrethana mund ta përmbushim atë marrëveshje që u bë nga Presidenti Trump për t'u larguar, duke qenë se është një marrëveshje e pamundur të zbatohet", tha ai.

Presidenti Biden nisi një rishikim të marrëveshjes së shkurtit 2020 mes administratës së ish-Presidentit Donald Trump dhe Talibanëve pak pasi ai mori detyrën. Ndërsa procesi i rishikimit nuk ka përfunduar ende, disa zyrtarë të lartë kanë ngritur pikëpyetje nëse Talibanët kanë mbajtur pjesën e tyre të barrës.

"Është e qartë se Talibanët nuk kanë bërë atë që ata thanë se do të bënin duke reduktuar dhunën", u tha gjeneral Richard Clarke, komandanti i forcave speciale amerikane, ligjvënësve amerikanë më herët gjatë të enjtes .

"Është e qartë se ata morën një qasje të paramenduar dhe rritën dhunën nga ana e tyre që kur u nënshkrua marrëveshja e paqes"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat