SHBA: Një oficer policie vdes pas një sulmi me automjet pranë Kapitolit

Amerika

SHBA: Një oficer policie vdes pas një sulmi me automjet pranë Kapitolit

Më: 2 prill 2021 Në ora: 19:55
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 22:45) - Një person përplasi një makinë në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, njëri prej të cilëve më pas vdiq nga plagët, tha policia e Kapitolit.

Autori i sulmit u qëllua dhe më pas vdiq.

Yogananda Pittman, shefe në detyrë e policisë së Kapitolit konfirmoi para gazetarëve vdekjen e njërit prej oficerëve të policisë.

Ajo tha se për momentin se emri i oficerit nuk do të jepej deri kur të njoftohej familja.

Shefja e policisë Pittman tha se “hetimi është ende në fazat fillestare” dhe se deri tani nuk njihet motivi për sulmin.

Megjithatë policia thotë se nuk beson se ngjarja është e lidhur me terrorizmin.

Shefja e policisë tha se autori doli nga automjeti me një thikë në dorë.

Image

Të dy oficerët e Policisë së Kapitollit ishin dërguar në spital, para se policia të konfirmonte se njëri prej tyre kishte vdekur. I dyshuari vdiq në spital.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit, ndërsa Kongresi nuk është në sesion. Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë protestuesish të armatosur sulmoi Kapitolin ndërsa Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia falenderoi Gardën e cila dërgoi një forcë të ndërhyrjes së shpejtë që shkoi menjëherë në ndihmë të policisë së Kapitolit.

Megjithëse nuk kishte ndonjë lidhje të menjëhershme midis 6 janarit dhe të premtes, incidenti nxjerr në pah se kompleksi mbetet objektiv i mundshëm për dhunë.

Pika e kontrollit të sigurisë ku ndodhi ngjarja përdoret zakonisht nga senatorët dhe personeli gjatë ditëve të javës, por ligjvënësit janë me pushime.

Barrierat që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit.

***

Një makinë u përplas në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, i thanë dy zyrtarë të rendit agjencisë Associated Press.

Drejtuesi i automjetit u qëllua me armë dhe është dërguar në spital në gjendje kritike, sipas policisë.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit. Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë kryengritësish të armatosur sulmoi Kapitolin ndërsa Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia e Kapitolit thotë se dikush "godit me një automjet dy oficerë të policisë së Kapitolit " dhe se një i dyshuar u ndalua.

Një nga oficerët që u plagos u dërgua me makinë policie në spital; tjetri po transportohej nga ekipet e urgjencës mjekësore, thanë zyrtarët.

Zyrtarët nuk mund ta diskutonin çështjen publikisht dhe folën me agjencinë AP në kushte anonimiteti.

Kompleksi i Kapitolit u vendos në izolim pas imcidentit dhe askush nuk mund të hynte ose të dilte nga godinat e kompleksit.

Rrethimet që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit.

Image

***

Izolohet Kongresi amerikan.

Kongresi amerikan është në bllokim për shkak të një kërcënimi të jashtëm të sigurisë.

Policia e Kapitolit dërgoi një alarm të premten pasdite.

Ajo është bërë duke njoftuar të gjithë në objekt se duhet të qëndrojnë brenda për shkak të një “kërcënimi të jashtëm të sigurisë”, raporton CNN.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat