Bizneset amerikane përballë udhëzimeve të reja të CDC-së për maskat

Amerika

Bizneset amerikane përballë udhëzimeve të reja të CDC-së për maskat

Më: 17 maj 2021 Në ora: 18:31
SHBA

Amerikanët po përballen me udhëzime të reja nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Sipas udhëzimeve, amerikanët e vaksinuar plotësisht, në pjesën më të madhe të rasteve, nuk kanë nevojë të përdorin maskat as në hapësirat e brendshme.

Vetëm një e treta e popullsisë amerikane është vaksinuar plotësisht. Një e katërta, sipas anketave, thotë se ka në plan të marrë njërën nga tre vaksinat.

Amerikanët, bizneset dhe zyrtarët e shëndetësisë u befasuan javën e kaluar kur CDC tha se individët e vaksinuar plotësisht mund të heqin maskat, me disa përjashtime. Drejtoresha e CDC-së Rochelle Walensky thotë se udhëzimi është i lidhur me përgjegjësinë individuale.

“Nëse janë të vaksinuar, ata janë të siguruar. Nëse nuk janë të vaksinuar, ata rrezikohen dhe duhet të vënë maskat, ose më mirë të vaksinohen.”

Disa drejtues të shëndetit publik i kritikuan udhëzimet si shumë të papritura dhe konfuze, pasi nuk është e qartë se kush është i vaksinuar. Administrata e Presidentit Biden ka thënë se nuk do të krijojë një pasaportë kombëtare për vaksinën. Udhëzimi i ri nga CDC ka ringjallur debatin rreth një çertifikate vaksine në mënyrë që bizneset dhe të tjerët të dinë nëse njerëzit janë vaksinuar.

Sipas zonjës Walensky, udhëzimi nuk do të thotë që të gjithë të heqin masakat, por që çdo njeri të jetë përgjegjës për shëndetin e tij. Për të pavaksinuarit, udhëzimi nuk ka ndryshuar, tha ajo.

Në një dalje pa maskë javën e shkuar, Presidenti Biden pranë Nënpresidentes Kamala Harris e përshkroi udhëzimin e ri si një ditë e shkëlqyer për Amerikën.

Megjithatë, udhëzimet e CDC-së nxitën ndryshime në të gjithë vendin. Disa dyqane thanë se blerësit e vaksinuar nuk kanë më nevojë të përdorin maska.

Të tjerë thanë se nuk do të ndryshojnë rregullat ndërsa rishikojnë udhëzimet. Një sindikatë që përfaqëson 1.3 milion punonjës të industrisë së ushqimit dhe tregtisë tha se udhëzimi i ri mund të vërë në rrezik pjestarët e saj.

“Po u kërkojmë bizneseve që ta bëjnë sa më të lehtë për punonjësit e tyre të vaksinohen, duke u dhënë ditë pushimi me pagesë”, tha drejtuesja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky.

Jo të gjitha shtetet janë të gatshme të lehtësojnë kufizimet.Përdorimi i maskës dhe distanca fizike ende kërkohet për udhëtarët e transportit publik dhe në avionë.

Ndërkohë, disa shtete dhe biznese po përdorin metoda të ndryshme për të nxitur njerëzit që të vaksinohen, duke ofruar udhëtime falas me tren, birrë dhe madje para, ndërsa përpiqen të kthejnë normalitetin tek komunitetet e tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat