Kanadaja kërkon përgjegjësi nga Kisha Katolike për nxënësit indigjenë

Amerika

Kanadaja kërkon përgjegjësi nga Kisha Katolike për nxënësit indigjenë

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 22:31
Kanada

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i ka bërë thirrje Kishës Katolike që të marrë përgjegjësi për rolin e saj në shkollat e indigjenëve.

Mbetjet e 215 fëmijëve janë gjetur në njërën nga shkollat katolike, duke ngjallur reagime të ashpra ndaj udhëheqësve të këtyre shkollave.

Trudeau ka kërkuar nga Kisha që të publikojë të gjitha të dhënat e shkollave, mirëpo deri më tani ka hasur në rezistencë.

Shkollat e menaxhuara nga qeveria ishin formuar për asimilimin e fëmijëve indigjenë.

Këto shkolla ishin pjesë e politikave zyrtare që kishin për qëllim shkatërrimin e kulturës dhe gjuhës indigjene.

Mbetjet e nxënësve janë gjetur në muajin maj, në një shkollë në British Columbia që ishte mbyllur në vitin 1978.

Disa prej fëmijëve ishin të moshës trevjeçare.

Kryeministri Trudeau ka folur edhe për vizitën në Vatikan gjatë vitit 2017. Gjatë kësaj vizite, ai ka thënë të ketë kërkuar falje zyrtare nga Papa Françesku për abuzimin e nxënësve.

Treudeau kishte kërkuar qasje në të dhënat e Kishës për përgjegjësi ndaj 4 mijë e 100 nxënësve që dyshohet se kanë vdekur nga sëmundjet dhe keqtrajtimet.

Shkolla indiane ishte hapur nën administrimin e Kishës Katolike në vitin 1890.

Mijëra fëmijë indigjenë u morën nga familjet për të jetuar në qindra shkolla të tilla që u hapën nëpër Kanada.

Prej vitit 1863 deri më 1998, më shumë se 150 mijë fëmijë indigjenë u morën nga familjet dhe u mbyllën në këto shkolla. Nxënësve nuk u lejohej përdorimi i gjuhës dhe kulturës amtare. Në të shumtën e rasteve keqtrajtoheshin dhe abuzoheshin nga drejtuesit e shkollës.

Një hetim i vitit 2008 dokumentoi ndikimin e këtij sistemi. Zbuloi se një numër i madh i fëmijëve indigjenë kurrë nuk u kthyen në shtëpitë e tyre.

Në një raport faktues të vitit 2015, ishte konstatuar se me ligj u bë “gjenocidi kulturor” ndaj indigjenëve në Kanada. Në vitin 2008, Qeveria kanadeze zyrtarisht kërkoi falje për gjenocidin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat