VOA: Harris, mesazh shprese në përpjekje për të adresuar imigracionin nga Amerika Qendrore

Amerika

VOA: Harris, mesazh shprese në përpjekje për të adresuar imigracionin nga Amerika Qendrore

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 20:35
Nënpresidentja Kamala Harris

Nënpresidentja Kamala Harris thotë se do të diskutojë rolin e Meksikës në rajon gjatë takimeve me Presidentin Andrés Manuel López Obrador të martën gjatë vizitës së saj në këtë vend. Vizita zhvillojet një ditë pasi nënpresidentja u takua me udhëheqës guatemalas në kuadër të turneut të saj në përgjigje të shtimit të valës së imigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara:

Para se të nisej për në Meksikë të hënën në mbrëmje, zonja Harris foli për partneritetin e ngushtë mes dy vendeve fqinje dhe shtoi se axhenda e së martës do të përfshinte edhe angazhimin dhe bashkëpunimin ekonomik për vaksinat kundër COVID-19.

“Ne kemi një partneritet të gjatë me Meksinën. Përveç Kanadasë ky është partneriteti më i ngushtë ndër vendet fqinje. Kjo përbën bazën e diskutimeve që do të zhvilloj me udhëheqësin e Meksikës, nxitur nga bindja se duhet të bashkëpunojmë si partnerë. Po ashtu do të diskutojmë edhe rolin që mund të luajë Meksika në rajon, kundrejt Guatemalës dhe vendeve të tjera fqinje,” tha zonja Harris.

Gjatë qëndrimit në Guatemalë të hënën, nënpresidentja theksoi përpjekjet e reja kundër korrupsionit dhe u bëri thirrje banorëve të vendeve të Amerikës Qendrore të mos e ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm të imigrimit drejt Shteteve të Bashkuara.

Nënpresidentja Harris tha se popujt e Guatemalës, Hondurasit dhe El Salvadorit, së bashku me Meksikën kanë nevojë për zhvillim ekonomik që ofron shpresa për një jetë më të mirë, në vend që të imigrojnë.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të japin ndihma me vlerë 310 milionë dollarë për të mbështetur refugjatët dhe në përgjigje të mungesave ushqimore. Kohët e fundit ajo siguroi premtime nga kompani dhe grupe private amerikane të gatshme të investojnë në Amerikën Qendrore për të mbështetur krijimin e mundësive ekonomike.

Pak pas takimit me udhëheqësin guatemalas, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland njoftoi në Uashington krijimin e një grupi pune me ekspertë të rendit me synimin për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore dhe grupet trafikante në Meksikë dhe Amerikën Qendrore.

Shtetet e Bashkuara po ashtu njoftuan javën e kaluar se do të dërgojnë 500,000 doza vaksine kundër koronavirusit në Guatemalë dhe 1,000,000 në Meksikë. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat