Presidenti Biden, takim mbi bllokimet në zinxhirin e furnizimeve në SHBA

Amerika

Presidenti Biden, takim mbi bllokimet në zinxhirin e furnizimeve në SHBA

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 18:02
SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden takohet të mërkurën me përfaqësues të kompanive të transportit detar, atyre të shitblerjes dhe sindikatat e punonjësve të porteve, për të diskutuar rreth mënyrave për zgjidhjen e problemeve në zinxhirin e furnizimeve.

Një numër industrish kanë hasur vështirësi në sigurimin e materialeve dhe produkteve për shkak të sfidave shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së kërkesës së konsumatorëve.

Ndër ata që do të marrin pjesë në bisedimet e së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë janë përfaqësues nga kompanitë Walmart, Home Depot, shërbimi postar UPS, porti i Los Anxhelosit dhe Sindikata Ndërkombëtare e Magazinave.

"Një nga sfidat është kalimi i mallrave përmes porteve. Këtu do të përqëndrohet presidenti, tek masat që duhen marrë në porte - diçka që ka qenë në vëmendjen e tij prej muajsh", u tha gazetarëve Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki gjatë një konference shtypi të martën.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen i tha televizionit CBS News se megjithëse rritja e çmimeve për shkak të rënies së ofertës dhe rritjes së kërkesës nuk pritet të jetë e përhershme, gjendja gjithsesi nuk do të zgjidhet menjëherë.

“Është një goditje e pashembullt për ekonominë globale," tha zonja Yellen në një intervistë të martën. "Kjo ka sjellë si rezultat një zhvendosje të madhe të kërkesës nga shërbimet tek mallrat dhe ka krijuar bllokime të mëdha në zinxhirin e furnizimeve."/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat