Taksa minimale globale ndaj korporatave dhe rruga e gjatë drejt zbatimit të saj

Amerika

Taksa minimale globale ndaj korporatave dhe rruga e gjatë drejt zbatimit të saj

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 18:04
SHBA

136 vende kanë rënë dakord së fundmi që kompanitë e mëdha shumëkombëshe të paguajnë një normë minimale tatimi prej 15% dhe të shtohen masat që ia bëjnë më të vështirë atyre shmangien e taksave. Por siç njofton korrespondetja e “Zërit të Amerikës” Patsy Widakuswara, deri tek zbatimi i marrëveshjes mbetet ende një rrugë e gjatë.

Pas katër vite negociatash të udhëhequra nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), javën e kaluar 136 vende ranë dakord për një rishikim gjithëpërfshirës të rregullave mbi taksimin ndërkombëtar.

Bazuar në marrëveshje, kompanitë me të ardhura vjetore prej më shumë se 870 milionë dollarësh, duhet të paguajnë një normë minimale globale tatimi prej 15%. Po sipas saj, kompanitë e mëdha shumëkombëshe duhet të paguajnë taksa aty ku zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe jo vetëm aty ku kanë selinë qendrore. Marrëveshja gëzon mbështetjen e administratës Biden.

"Marrëveshja ndërkombëtare është dëshmi se pjesa tjetër e botës pajtohet se korporatat mund dhe duhet të bëjnë më shumë, për të ndihmuar në rindërtimin e një bote më të mirë", thotë Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Përkrahësit thonë se marrëveshja do t’i jepte fund një gare prej disa dekadash lidhur me normën e taksave ndaj korporatave, që ishte bërë shkak që kompanitë të zhvendoseshin në vende me taksa të ulëta, duke mohuar fondet për të luftuar krizat globale që lidhen me shëndetin publik apo ndërtimin e infrastrukturës. Por detajet teknike të marrëveshjes nuk janë finalizuar ende.

"Mbetet për t'u parë se sa i suksesshëm do të jetë zbatimi i saj, si do të ndikojë tek të ardhurat globale nga taksat dhe tek fitimet e korporatave", thotë Kyle Pomerleau, e grupit kërkimor “American Enterprise Institute”.

Parashikimet janë që marrëveshja të fillojë të zbatohet duke nisur nga viti 2023. Por disa nga vendet nënshkruese, mes tyre Kina dhe Irlanda, duan t’i mbrojnë stimujt aktualë mbi taksat.

“Është gjithashtu e qartë se shumë vende, veçanërisht vendet në zhvillim, janë të interesuara për të vazhduar negociatat edhe pasi të jetë rënë dakord për këtë variant të marrëveshjes, në mënyrë që të kenë mundësi të thonë: dakord, është bërë përparim e janë bërë disa ndryshime, por ne do të donim të shkonim më tej dhe të zhvillonim bisedime të reja në vitin 2023”, thotë Daniel Bunn që punon për Fondacionin mbi Taksat, një organizatë që vëzhgon politikat e agjencive qeveritare mbi taksat e shpenzimet.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik vlerëson se vendosja e një takse minimale do të siguronte 150 miliardë dollarë të ardhura shtesë në vit nga taksat globale.

Por sipas përfaqësuesve të organizatave që punojnë për barazinë globale, siç është “Oxfam-i”, kompanitë e mëdha shumëkombëshe sikurse “Amazon” do të vijojnë ende të përfitojnë nga një sërë përjashtimet kjo sepse marrëveshja nuk shkon aq larg sa duhet.

“Qëllimi përfundimtar është që taksa minimale globale të jetë e tillë që të ulë përfitimin nga parajsat fiskale, gjë që është në favor të të gjitha vendeve. Por përfitimet e menjëhershme dhe të prekshme nga kjo taksë, në aspektin afatshkurtër, do të siguroheshin vetëm nga vendet e pasura", thotë Didier Jacobs, e organizatës “Oxfam”.

Marrëveshja për një normë minimale globale taksimi duhet të kalojë për miratim në Kongres, por republikanët kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë atë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat