Shtetasit e huaj të vaksinuar mund të hyjnë në SHBA duke filluar nga 8 nëntori

Amerika

Shtetasit e huaj të vaksinuar mund të hyjnë në SHBA duke filluar nga 8 nëntori

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 21:46
Foto ilustrim

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se duke filluar nga 8 nëntori do të heqë kufizimet për të hyrë në Shtetet e bashkuara nëpërmjet kufijve tokësorë dhe ajrorë të vendit, ndaj atyre shtetasve të huaj të cilët janë të vaksinuar plotësisht.

Kufizimet ndaj udhëtimeve jothelbësore janë vendosur që nga marsi i vitit 2020 me synimin për të trajtuar pandeminë e COVID-19. Agjencia Reuters ishte e para që njoftoi vendimin e Shtëpisë së Bardhë më herët gjatë ditës së premte.

Kufizimet për shtetasit jo-amerikanë u vendosën fillimisht nga administrata Trump, në janar të 2020 vetëm ndaj udhëtarëve që vinim me linja ajrore nga Kina. Më pas ato u shtrinë dhe ndaj dhjetëra vendeve të tjera, por pa ndonjë plan të qartë se si dhe kur mund të hiqeshin.

Shtetet e Bashkuara kishin mbetur shumë pas vendeve të tjera në heqjen e kufizimeve të kësaj natyre dhe vendet aleate e mirëpritën këtë vendim.

Kufizimet e vendosura nga SHBA kanë ndaluar udhëtimet nga shumica e vendeve të botës, përfshirë të dhjetëra mijëra shtetasve të huaj të cilët kanë të afërm në Shtetet e Bashkuara apo lidhje biznesi.

Të martën Shtëpia e Bardhë njoftoi se në fillim të nëntorit do të heqë kufizimet në kufijtë e saj tokësorë dhe ujor me Kanadanë e Meksikën për ata shtetas nga këto vende që janë të vaksinuar plotësisht. Ato janë të ngjashme, por jo identike me kërkesat e shpallura muajin e kaluar për udhëtimet ndërkombëtare ajrore.

Vizitorëve të pavaksinuar do t'u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja ose Meksika nëpërmjet kufijve tokësorë.

Më 9 gusht, Kanadaja filloi të lejojë vizitorët amerikanë të vaksinuar plotësisht për udhëtime jothelbësore./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat