Brazil, Senati rekomandon akuza penale ndaj Bolsonaros

Amerika

Brazil, Senati rekomandon akuza penale ndaj Bolsonaros

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 22:48
Jair Bolsonaro

Në Brazil një komision i posaçëm i Senatit ka rekomanduar zyrtarisht që Presidenti Jair Bolsonaro të përballet me akuza penale lidhur me mënyrën se si e ka trajtuar pandeminë e COVID-19, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 600,000 personave, shifra e dytë më e lartë e vdekjeve në botë, pas Shteteve të Bashkuara.

Komisioni votoi 7 me 4 të martën duke miratuar një raport prej rreth 1200 faqesh të hartuar nga senatori Renan Calheiros, ku zoti Bolsonaro akuzohet për veprime të tilla si nxitja e përdorimit të trajtimeve të paprovuara si hidroksilklorina edhe pasi provat treguan se ajo ishte e paefektshme. Po sipas raportit ai vonoi procesin e blerjes së vaksinave. Më tej në raport thuhet se zoti Bolsonaro besonte se lejimi i përhapjes së virusit në të gjithë vendin do të çonte në imunitetin e turmës, që do ndalonte për rrjedhojë përhapjen e mëtejshme të COVID-19s.

Në raport thuhet gjithashtu se presidenti kishte bërë një pohim të rremë në një dalje të drejtpërdrejtë në mediat sociale javën e kaluar duke thënë se në Britani njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19s, janë prekur nga SIDA "më shpejt nga sa pritej".

Raporti, i cili është rezultat i një hetimi gjashtë-mujor lidhur me përgjigjen e zotit Bolsonaro ndaj pandemisë, u kërkon prokurorëve të ngrenë padi ndaj presidentit për gjithsej nëntë krime, përfshirë sharlatanizmin, nxitje të veprave kriminale dhe krime kundër njerëzimit, të cilat mund të çojnë në ngritjen e akuzave kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Në raport kërkohet gjithashtu ngritja e aktakuzave ndaj dy kompanive dhe 77 individëve të tjerë, mes tyre dhjetëra ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të qeverisë e aleatë të presidentit, si dhe tre djemve të tij, njëri prej tyre një senator i njohur.

Në fund të seancës dëgjimore të së martës komisioni mbajti një minutë heshtje për nder të viktimave të pandemisë.

Presidenti brazilian është kritikuar se ka minimizimin seriozitetin e situatës që paraqet pandemia duke shkurajuar masa të tilla si vendosja e maskave, distancimi social, bllokimet si dhe vaksinimin kundër COVID-it.

Fillimisht senatori Calheiros kishte bërë thirrje që zoti Bolsonaro të akuzohej për gjenocid e vrasje, por këto rekomandime nuk u përfshinë në raportin përfundimtar për shkak të kundërshtimit të fortë nga disa anëtarë të komisionit.

Raporti do t'i dërgohet prokurorit të përgjithshëm, i cili është emëruar nga zoti Bolsonaro dhe mbetet një aleat i fortë i tij, çka e bën shumë të pamundur ndjekjen penale të tij. Por raporti ka të ngjarë t’i krijojë problemeve të mëtejshme pozitës publike të zotit Bolsonaro ndërsa ai përballet me garën për t’u rizgjedhur në këtë detyrë vitin e ardhshëm.

Zoti Bolsonaro e ka kritikuar hetimin duke e cilësuar atë si një "tallje" e të motivuar politikisht./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat