Gjyqi për vrasjen e afrikano-amerikanit Arbery, prokurorja: Ahmaud Arbery u sulmua

Amerika

Gjyqi për vrasjen e afrikano-amerikanit Arbery, prokurorja: Ahmaud Arbery u sulmua

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 18:29
Gregory McMichael dhe Ahmaud Arbery

Asnjë nga tre personat e bardhë, të akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit Ahmaud Arbery, nuk kishte arsye për ta ndaluar atë, kur e panë në lagjen e tyre, sipas prokurores Linda Dunikoski, e cila tha të hënën, gjatë argumentave mbyllëse, se të pandehurit vendosën ta ndiqnin atë “sepse ai ishte afrikano-amerikan, që po vraponte në rrugën e lagjes së tyre.”

Argumentet përmbyllëse, përpara një jurie kryesisht të bardhë, filluan pas 10 ditësh të paraqitjes së dëshmive dhe dëshmitarëve, që përfunduan javën e kaluar, pak kohë pasi personi, që qëlloi afrikano-amerikanin Arbery, dëshmoi se ai kishte qëlluar për t’u vetëmbrojtjur. 

Vrasja e afrikano-amerikanit Arbery u bë pjesë e një lëvizje më të madhe kombëtare kundër padrejtësive racore, pasi një video, me pamje nga vdekja e tij, u publikua në internet dy muaj më vonë. Megjithëse prokurorët nuk argumentuan se racizmi motivoi vrasjen, autoritetet federale i kanë akuzuar të tre personat për krime të urrejtjes, duke pretenduar se ata e ndoqën dhe e vranë zotin Arbery, sepse ai ishte afrikano-amerikan. 

Greg McMichael dhe djali i tij Travis McMichael, rrëmbyen armët dhe ndoqën 25 vjeçarin Arbery me një makinë, pasi e panë atë duke vrapuar në lagjen e tyre më 23 shkurt të vitit 2020. Një fqinj, William "Roddie" Bryan, iu bashkua ndjekjes dhe filmoi momentin kur Travis McMichael hapi zjarr ndërsa Ahmaud Arbery po godiste me grushta dhe po përpiqej t’ia rrëmbente armën. 

Askush nuk u akuzua për vrasjen e tij, derisa videoja e filmuar nga zoti Bryan u publikua në internet dhe Byroja e Hetimit në shtetin e Xhorxhias mori përsipër rastin nga policia lokale. Të tre personat përballen me akuza për vrasje. 

Avokatët mbrojtës thonë se ata dyshonin se Ahmaud Arbery kishte vjedhur një shtëpi në ndërtim e sipër dhe synonin ta mbanin atë derisa të vinte policia. Prokurorët thonë se nuk ka asnjë provë që dëshmon se Ahmaud Arbery ka kryer ndonjë krim në lagje. Ata thonë se Greg McMichael, djali i tij Travis McMichael dhe William Bryan e ndoqën afrikano-amerikanin Arbery për pesë minuta dhe përdorën makinat e tyre për ta ndaluar atë përpara se Travis McMichael ta qëllonte atë. 

Ahmaud Arbery ishte regjistruar në një kolegj teknik dhe po përgatitej të studionte për t'u bërë elektricist. Familja McMichael i tha policisë se dyshonte se Ahmaud Arbery ishte një hajdut, sepse kamerat e sigurisë e kishin regjistruar atë disa herë në shtëpinë që po ndërtohej në rrugën e lagjes së tyre./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat