SHBA: “Dëshmi” për planet e agresionit rus

Amerika

SHBA: “Dëshmi” për planet e agresionit rus

Nga: Sherif Ramabaja Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 21:53
Antony Blinken

Situata e konfliktit në Ukrainë vazhdon të përkeqësohet. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken flet për “prova” që mbështesin planet e Rusisë për “operacione ushtarake” kundër Ukrainës. Moska vazhdon të mohojë qëllimin e saj luftarak - dhe qorton rëndë NATO-n.

Tensionet po përshkallëzohen në konfliktin e Ukrainës: Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Rusinë për planifikimin e "hapave thelbësorë agresivë kundër Ukrainës". Ka "prova" të këtyre planeve, tha Blinken pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga të Letonisë, dhe kërcënoi Moskën me sanksione të rënda ekonomike të SHBA-së në rast të një sulmi. Takimi i Blinkens me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov ishte planifikuar për të enjten.

"Planet ruse varionin nga “përpjekjet për të destabilizuar Ukrainën nga brenda deri tek operacionet ushtarake në shkallë të gjerë”, tha Blinken. "Ne nuk e dimë nëse Presidenti (Vladimir) Putin kishte marr vendimin për të pushtuar Ukrainën. Ne e dimë, megjithatë, se ai do të krijojë rrethana për ta bërë këtë në një periudhë të shkurtër kohore, nëse ai vendos ta bëjë këtë."

“Ne ia kemi bërë të qartë Kremlinit se do të reagojmë me vendosmëri”, tha Blinken. Kjo përfshin gjithashtu "një numër masash efektive ekonomike nga të cilat, ne deri më tani jemi përmbajtur në të kaluarën". Aleatët e NATO-s do të "sigurojnë gjithashtu që Ukraina të ketë mjetet e mjaftueshme për ta mbrojtur veten".

Moska mohon qëllimet luftarake

Në fund të takimit në Riga, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se NATO kishte një "gamë të gjerë opsionesh" për t'iu përgjigjur një sulmi të mundshëm nga Rusia ndaj Ukrainës. Mbi të gjitha, ai përmendi sanksionet ekonomike dhe financiare nga shtetet anëtare në mënyrë individuale.

Në të njëjtën kohë, Stoltenberg iu referua reagimit të NATO-s ndaj aneksimit rus të gadishullit ukrainas të Detit të Zi të Krimesë në vitin 2014 dhe luftimeve në Ukrainën lindore: "Kjo ka çuar në forcimin më të madh të mbrojtjes sonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë. ”, theksoi Stoltenberg. Në atë kohë, aleanca vendosi "njësi të gatshme luftarake" në Poloni dhe shtetet baltike, rriti praninë e tyre në Detin e Zi dhe rriti mbikëqyrjen ajrore. Stoltenberg pohoi se Rusia nuk mund të vëjë “veto” në rast se Ukraina do të anëtarësohej në NATO.

Ukraina dëshiron bisedime me Rusinë

Para takimit, Lavrov kritikoi ashpër NATO-n: vendet anëtare të aleancës po ndjekin "politika destruktive" dhe po përpiqen "ta tërheqin Ukrainën në sferën e tyre të ndikimit dhe ta kthejnë atë në një vend anti-rus", tha ministri i Jashtëm rus. Perëndimi don t'i "diktoi Moskës se si duhet të sillet me forcat e armatosura ruse në territorin e tyre", kritikoi Lavrov. Moska akuzon Perëndimin për furnizimin e Kievit me armë dhe mbajtjen e stërvitjeve ushtarake në Detin e Zi.

Moska akuzoi gjithashtu Kievin për përqendrim të trupave në lindje të vendit. 125,000 ushtarë, "gjysma e trupave ukrainase", janë në zonën pranë kufirit rus, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse. Kreu i shtetit ukrainas Volodymyr Selenskyj bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Kremlinin për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore. “Duhet të themi sinqerisht: Ne nuk do të jemi në gjendje ta përfundojmë luftën pa bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë”, tha Zelenskyi në parlamentin ukrainas. Perëndimi akuzon Rusinë për mbështetjen e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore, por Moska e mohon këtë./Burimi: ntv.de, dbe / AFP, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat