SHBA, sezoni i festave gjatë një tjetër viti me pandemi

Amerika

SHBA, sezoni i festave gjatë një tjetër viti me pandemi

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 20:32
Sezoni i festave ka trokitur për amerikanët

Koronavirusi, rritja e inflacionit dhe politika polarizuese janë mes shqetësimeve të shumta me të cilat po përballen amerikanët në këtë sezon festash, probleme që po ndikojnë edhe tek shëndeti mendor. Ilaçi më i mirë, thonë ekspertët, është gjetja e mënyrave të sigurta që njerëzit të shpenzojnë më shumë kohë së bashku, gjë që ndikon edhe tek shëndeti mendor.

Sezoni i festave ka trokitur për amerikanët. Disa do të mblidhen me të dashurit e tyre, me shumë prej tyre që takohen personalisht për herë të parë që nga fillimi i pandemisë afro dy vjet më parë. Në disa raste, siç ndodh rëndom, emocionet mund të jenë të forta për çështje delikate.

Casey Witte thotë për Zërin e Amerikës se ka në plan të shpenzojë festat me familjen dhe të afërmit.

“Duke folur nga përvoja personale, njerëzit kanë padyshim pikëpamje shumë të ndryshme për vaksinën dhe kjo mund të bëhet një pikë debati", thotë ajo.

Lesley Harris, që merret me problemet kibernetike, thotë se media sociale ka ndihmuar në daljen në dritë të shumë problemeve.

“Shumë nga ato që mund të mos kemi ditur për disa nga miqtë apo kolegët mund të kenë dalë në dritë falë medias sociale. Mendoj se është e rëndësishme zhvillimi i debateve ballë për ballë mbi bindjet e njerëzve", thotë ai.

Psikiatri David Charney thotë se duhet të tregohesh sensitiv rreth gjendjes shpirtërore të tjetrit pas një viti të vështirë.

“Ka një rritje të përgjithshme të nervozizmit tek e gjithë popullsia. Gjërat nuk do të përmirësohen duke u futur në një debat sepse vështirë se i ndryshon mendjen dikujt. Bisedoni për tema ku ka përputhje mendimi", thotë psikiatri David Charney.

Mjeku rekomandon një qasje të përgjegjshme ndaj atyre që kanë humbur të afërm nga pandemia.

“Njerëzit kanë nevojë për të shprehur mendimet dhe ndjenjat sipas mënyrës së tyre dhe në kohën më të përshtatshme për ta. Nëse nuk janë të gatshëm të shprehen, lërini të qetë", thotë ai.

Është thelbësore që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor gjatë festave, kryesisht nëse po i kaloni vetëm, thekson profesori Jagdish Khubchandani, i cili ka vëzhguar shëndetin mendor të amerikanëve gjatë pandemisë.

“14% e të rriturve amerikanë janë të varur nga interneti. Duke u shkaktuar atyre ankth të thellë, simptoma depresioni, ndërkohë që jeta e tyre shoqërore është ndërprerë", thotë profesori Jagdish Khubchandani.

Ai thotë se gjetja e ekuilibrit në përdorimin e teknologjisë do të ulte stresin.

“Shmangni mërzinë dhe izolimin. Bëni diçka të re, mësoni një aftësi të re, dilni në natyrë, ose ofroni ndihmë për të tjerët”, thekson ai.

Shari Gallery, familja e së cilës shet pemët e Krishtlindjes për gati 40 vjet, këshillon soditjen e natyrës.

“Kjo është një mënyrë për të ndihmuar sado pak shëndetin mendor. Aroma që lëshon bredhi ndikon pozitivisht tek gjendja shpirtërore", thotë Shari Gallery.

Për shefin e kuzhinës Adam Hernandez, gjërat nuk duhen marrë të mirëqëna, sidomos pas vështirësive financiare me të cilat u përballën restorantet këtë vit.

“Dolëm me familjen dhe blemë pemën e Krishtlindjes. Të jep kënaqësi", thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat