Komisioni i 6 janarit do të ngrejë akuza ndaj Mark Meadows për mosrespektim të thirrjes për dëshmi

Amerika

Komisioni i 6 janarit do të ngrejë akuza ndaj Mark Meadows për mosrespektim të thirrjes për dëshmi

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 21:41
Mark Meadows

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton trazirat e 6 janarit në Kapitol nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të ngrejë akuza për shpërfillje të urdhrit për bashkëpunim ndaj Mark Meadows, ish shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë në kohën e Presidentit Donald Trump. Zoti Meadows nuk po e zbaton thirrjen e komisionit për bashkëpunim, tha të mërkurën kryetari i panelit Bennie Thompson, demokrat i shtetit të Masaçusets.

Image
Bennie Thompson

Në një letër drejtuar avokatit të zotit Meadows, ligjvënësi demokrat Bennie Thompson shprehet se Meadows i ka ofruar tashmë komisionit dokumente, duke përfshirë emaile personale dhe tekste në lidhje me hetimet mbi trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.

Megjithatë, zoti Meadows nuk u paraqit të mërkurën para komisionit siç ishte planifikuar, ndërsa avokati i tij George Terwilliger njoftoi panelin se zoti Meadows po i jepte fund bashkëpunimit.

Ligjvënësi Thompson vuri në dukje në letër se zoti Meadows ka botuar gjithashtu një libër këtë javë, ku flitet për trazirat e 6 janarit.

“Shitja e fakteve të asaj dite (shitja e librit) ndërkohë që i mohon komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve mundësinë për ta pyetur mbi sulmin në Kapitol, shënon një sfidë historike dhe agresive ndaj Kongresit”, shkuante në letër ligjvënësi Thompson.

Dokumentet që zoti Meadows i ka ofruar tashmë komisionit, thuhet në letrën e ligjvënësit Thompson, përfshijnë komunikime nga koha e zgjedhjeve presidenciale dhe para trazirave në Kapitol dhe përfshijnë përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të përmbysur fitoren e zgjedhjeve nga zoti Joe Biden.

Avokati i zotit Meadows, George Terwilliger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjensisë së lajmeve Associated Press për të komentuar rreth letrës në fjalë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat