Dhuna me armë, Presidentit Biden i kërkohet të mbajë premtimin

Amerika

Dhuna me armë, Presidentit Biden i kërkohet të mbajë premtimin

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 18:34
Manuel dhe gruaja e tij Patricia

Prindërit e një studenti që u vra gjatë një sulmi me armë në një shkollë në Parkland të Floridës në vitin 2018 thonë se nuk do të largohen nga Uashingtoni pa u takuar me Presidentin Joe Biden për të diskutuar parandalimin e dhunës me armë.

Tre vjet më parë, Manuel Oliver, do të përdorte artin për të shprehur dhimbjen e humbjes së djalit të tij 17 vjeçar i cili u qëllua katër herë gjatë një sulmi me armë zjarri në Parkland në vitin 2018.

Aktualisht, Manuel dhe gruaja e tij Patricia, kanë ardhur në kryeqyetin amerikan për t’i kërkuar Presidentit Joe Biden që të mbajë premtimin, që ata thonë se u bëri atyre tre muaj para se të shpallte kandidaturën e tij për president në vitin 2019.

“I shpreha qëndrimim tonë ndaj dhunës me armë dhe padrejtësinë në rastin e djalit tonë. Më dha arsye për të besuar se një administratë e re do të jetë në gjendje të shqyrtojë këtë çështje dhe në fakt ta trajtojë atë si një emergjencë kombëtare", tregon për Zërin e Amerikës babai që humbi të birin nga dhuna me armë zjarri.

Ndërsa tragjedia goditi së fundmi Universitetin Shtetëror të Miçiganit, familja Oliver po shton trysninë. Çdo ditë Patricia kalon pranë kamerave të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, për t’u siguruar që zyrtarët të jenë të njoftuar mbi praninë e saj.

“Jam ende këtu, duke pritur për zotin Biden”.

Ndërkohë Manueli ka ngritur zërin për veprim në median sociale.

“Nuk po luftoj kundër pronarëve të armëve. Po ngre zërin për njerëz të pafajshëm që vdesin. Dyzet mijë njerëz në vit humbin jetën për shkak të dhunës me armë. Do të doja që senatorët të votonin për diçka që do të përfundojë në tryezën e presidentit dhe ai ta firmoste atë në ligj.”

Ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar lidhur me një takim të mundshëm me familjen Oliver, Presidenti Biden foli për dhunën me armë në përvjetorin e një sulmi të armatosur në vitin 2012 në një shkollë fillore që la 26 nxënës dhe mësues të vdekur.

“Sulmet e tmerrshme me armë në komunitet tona bëhen tituj kryesor lajmesh në vend dhe na turpërojnë ne se komb. Në buxhet po kërkoj dyfishimin e fondeve për hulumtime për parandalimin e dhunës me armë, përfshirë shqyrtimin e dhunës me armë si kërcënim për shëndetin publik”, tha Presidenti Biden.

Presidenti i bëri thirrje Kongresit që të miratojë propozimin.

“Propozimi im kërkon një investim historik prej pesë miliardë dollarësh në programet e parandalimit të dhunës në komunitete. Këto programe japin rezultate.”

Ndërsa e pranojnë publikisht rëndësinë e propozimeve të presidentit, familja Oliver është në pritje në kryeqytetin amerikan dhe po shtojnë përkrahjen për kauzën e tyre.

Avery Hamill drejton degën e shoqatës “Studentët Kërkojnë Veprim” për qytetin e Filadelfias. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Hamill thotë se është koha për të vepruar.

“Tani që studentët janë kthyer në auditore, përparësitë duhet të ndryshojnë për t’u fokusuar tek siguria e studentëve. Shpresojmë se ndryshimi do të ndodhë.”

Ndërkohë, familja Oliver do të jetë mes mijëra prindërve në mbarë vendin që po kalon festat e sezonit pa të dashurit e tyre.

“Kam mërzinë time që shfaqet papritur. Mund të jem duke lexuar diçka dhe zemra fillon dhe më dobësohet. Por e lë vetën të qaj sepse jam qënie njerëzore”, thotë nëna e studentit të vrarë.

“Nuk mund të ndihem më keq, por unë jam babai i Joaquin-it dhe duhet të jem mjaft i fortë për të gjetur një mënyrë për t'u ndjerë më mirë dhe për të vazhduar të bëj atë që po bëj për djalin tim”, thotë për Zërin e Amerikës babai i studentit të vrarë.

Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e tyre të përhershme në Uashington, nëse vetëm kështu mund të takohen me Presidentin Biden./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat