Një anëtar i një fisi indigjen mbajti babain e tij mbi shpinë për 6 orë për këtë arsye

Amerika

Një anëtar i një fisi indigjen mbajti babain e tij mbi shpinë për 6 orë për këtë arsye

Më: 14 janar 2022 Në ora: 06:22
Tawy dhe Wahu

Një foto e një burri indigjen që mban në shpinë të atin për të marrë një vaksinë Covid-19 në Amazonën braziliane është bërë virale dhe është bërë simbol i logjistikës së komplikuar të vaksinimit në një nga zonat më të largëta të botës. Fotoja e bërë nga një mjek tregon 24-vjeçarin Tawy duke mbajtur babain e tij Wahun, 67 vjeç, pasi të dyve iu dha një dozë vaksine. Atyre iu desh të ecnin me orë të tëra nëpër pyll për të arritur në vendin e vaksinimit.

Të dhënat zyrtare thonë se 853 njerëz indigjenë kanë vdekur prej Covid-19 në vend. Por grupet e të drejtave indigjene thonë se ky numër është shumë më i lartë. Organizata joqeveritare braziliane Apib kreu një studim ku zbuloi që 1,000 njerëz indigjenë kishin vdekur vetëm midis marsit 2020 dhe marsit 2021.

Tawy dhe Wahu i përkasin komunitetit indigjen Zo’e, i cili ka rreth 325 anëtarë raporton “BBC”. Ata jetojnë në izolim relativ nëpër dhjetëra fshatra në një zonë të barabartë me 1.2 milionë fusha futbolli në shtetin verior të Para. Erik Jennings Simoes, mjeku që bëri foton tha se Wahu mezi shihte dhe ecte me vështirësi për shkak të problemeve kronike të urinës. Ai vlerësoi se Tawy e mbajti babanë e tij në shpinë për pesë deri në gjashtë orë.

“Ishte një demonstrim shumë i bukur i marrëdhënies së bukur mes tyre,” tha doktor Simoes për “BBC News Brasil”. Fotografia është bërë në janar të vitit 2021 në fillim të fushatës së vaksinimit Covid-19 në Brazil që është një nga vendet më të goditura në botë nga pandemia. Doktor Simoes tha se e publikoi foton në Instagram në datën 1 janar të këtij viti, për të dërguar një “mesazh pozitiv në fillim të vitit të ri”. Kur filloi vaksinimi kundër Covid-19 në Brazil, njerëzit indigjenë u konsideruan një grup prioritar.

Ekipi shëndetësor e kishte të pamundur që të shkonte në çdo fshat, pasi do të duheshin javë për të vaksinuar të gjithë, për shkak të përhapjes së tyre në një zone të madhe. Ekipi vendosi që të ngrinte kasolle në pyll dhe ranë dakort me komunitetet që të ngrinin një sistem vaksinimi përmes një radioje.

“Ne kemi adoptuar praktika që respektojnë dhe marrin parasysh kulturën dhe njohuritë e popullit Zo’e,” tha doktor Simoes.

Wahu vdiq shtatorin e kaluar, për arsye që mbeten të paqarta. Tawy mbetet me familjen e tij dhe së fundmi ka marrë dozën e tretë të vaksinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat