Viti i parë i Presidentit Biden në detyrë, reagimi ndaj pandemisë

Amerika

Viti i parë i Presidentit Biden në detyrë, reagimi ndaj pandemisë

Më: 20 janar 2022 Në ora: 16:20
Presidenti amerikan Joe Biden

20 janari shënon vitin e parë që kur presidenti Joe Biden bëri betimin në shkallët e Kongresit amerikan. Ndërsa mori drejtimin e vendit, zoti Biden trashëgoi pandeminë globale të koronavirusit, për të cilën pati premtuar gjatë fushatës se do t’i jepte fund. Materiali në vazhdim na njeh mbi mënyrën se si Presidenti Biden e trajtoi situatën e pandemisë gjatë një viti.

Si kandidat, Joe Biden premtoi gjatë fushatës se do t’i jepte fund pandemisë. Sot në vitin e parë në detyrë, bota po futet në vitin e tretë me pandemi. Tom Hart, shef i organizatës ndërkombëtare “One Campaign”, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Zoom.

“Presidenti ka qënë i suksesshëm në reagimin global përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara me vendet në nevojë, kur flitet për dozat e vaksinave, fondet dhe bashkëpunimin.”

Tom Hart, presidenti organizatës “One Campaing”, thotë se është shtuar mbështetja e homologëve të zotit Biden.

“Aty ku ende nuk po ja dalin, ai po udhëheq vendet e tjera përmes një fushate të unifikuar për të t’i dhënë fund pandemisë. Ajo që po ndodh është se vendet e pasura po marrin angazhime individuale, çfarë tingëllon mirë, por të veçuara nuk i plotësojnë nevojat.”

Ndërsa infektimet po shtohen me shpejtësi si rezultat i variantit Omicron, janari shënoi herën e parë që sondazhet treguan se më shumë amerikanë nuk e miratojnë mënyrën se si Presidentit Biden po e trajton pandeminë.

“Mendoj se administrata e Presidentit Biden, në përgjithësi, ka bërë punë të mirë aty ku është përqendruar. Megjithatë, çështja është se, janë përqendruar më shumë se duhet tek qasja vetem me vaksina”, tha për Zërin e Amerikës Eric Feigl-Ding me Federeatën e Shkencëtarëve Amerikanë.

Epidemiologu Eric Feigl-Ding thotë se administrata e zotit Biden mund të kishte bërë më shumë për të luftuar dezinformimin dhe për të siguruar që fondet e emergjencës për shkollat të përmirësonin sistemet e ajrimit. Ai e fajëson atë për mos ofrimin falas të testeve për COVID-19 që përdoren në shtëpi dhe maskat e tipit N95 pasi presidenti njoftoi së fundmi një program riimbursimi nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore.

“Në tërësi, kjo është një pandemi e udhëheqjes politike, e virusit, e sjelljes njerëzore si dhe politikës rreth sjelljes njerëzore. Pra, administrata e zotit Biden nuk kontrollon çdo aspekt të tyre, veçanërisht keqinformimin. Më e rëndësishmja, nxjerr në pah se pandemia nuk është vetëm një fenomen biologjik. Është një fenomen informacioni.”

Kritikët thonë se administrata e Presidentit Bidenit duhet të bëjë më shumë në arenën botërore dhe brenda vendit për të siguruar më shumë vaksina për më shumë njerëz dhe për të bindur që të vaksinohen ata që hezitojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat