Marshim kundër abortit në Uashington

Amerika

Marshim kundër abortit në Uashington

Më: 21 janar 2022 Në ora: 21:47
“Marshimi për Jetën”

Kundërshtarët e abortit u mblodhën të premten në kryeqytetin e vendit me një optimizëm të lartë dhe me ndjenjën se vendi ka arritur një moment kyç që mund të çojë në përmbysjen e të drejtës së abortit në shumë shtete.

“Marshimi për Jetën”, që është mbajtur çdo vit në muajin janar për dekada të tëra, është një protestë kundër abortit që këtë vit pason një sinjal se Gjykata e Lartë do t'i lejojë shtetet të vendosin kufizime më të forta për abortin përmes një vendimi që pritet të njoftohet në muajt e ardhshëm, i cili ndoshta mund ta përmbysë vendimin historik të vitit 1973 “Roe kundër Wade”, i cili afirmoi të drejtën kushtetuese për të kryer procedurat e abortit.

“Nuk më duket si diçka reale. Ka kaq shumë shpresë, gjallëri, lumturi dhe gëzim për këtë gjë", tha Jordan Moorman, banore e qytetit të Sinsinatit. "Unë besoj se vërtet e kemi lënë pas epokën e vendimit “Roe kundër Wade”."

Tubimi, i mbajtur në përvjetorin e vendimit “Roe kundër Wade”, po zhvillohet mes një rritjeje të infeksioneve me COVID-19 që ka ndikuar në numrin e pjesëmarrësve. Disa kundërshtarë të abortit njoftuan në faqet e tyre në Facebook se nuk do të merrnin pjesë në “Marshimin për Jetën” për shkak të rregullit për të treguar çertifikatën e vaksinës kundër COVID-19 për njerëzit që hyjnë në restorante dhe vende të tjera publike në Uashington.

Pandemia nuk e ka zbehur optimizmin e një lëvizjeje të rigjallëruar kundër abortit që e sheh një ligj të ri të Teksasit që ndalon shumicën e aborteve si hap të parë dhe që ka bërë të qartë se nuk do ta ndërpresë betejën për më shumë kufizime ndaj abortit edhe nëse shumica konservatore e Gjykatës së Lartë vendos në favorin e aktivistëve kundër abortit më vonë këtë vit.

Të paktën 26 shtete janë të përgatitura të kufizojnë më tej të drejtën e abortit nëse vendimi “Roe kundër Wade” dobësohet ose përmbyset, thonë grupet që mbështesin të drejtën e abortit. Në dhjetor, gjykata sinjalizoi se do të mbështeste një ndalim të vendosur nga shteti i Misisipit për abortet pas javës së 15-të të shtatzënisë. Rasti i Misisipit sfidon drejtpërdrejt vendimin “Roe kundër Wade”.

Për muaj të tërë, gjykatat u kanë shkaktuar klinikave të abortit në Teksas një varg humbjesh në përpjekjet për të bllokuar ligjin, i cili nga shtatori ndaloi abortet për rastet kur diktohen rrahjet e zemrës, që zakonisht ndodh rreth javës së gjashtë të shtatzënisë, para se shumë gra ta kuptojnë se janë shtatzënë. Një tjetër humbje për klinikat e Teksasit erdhi të enjten, kur Gjykata e Lartë refuzoi të përshpejtonte shqyrtimin e sfidës ndaj ligjit, për të cilin drejtuesit e klinikave thonë se tani ka të ngjarë të mbetet në fuqi për një të ardhme të afërt.

“Ky ligj është mizor dhe antikushtetues dhe jam thellësisht e zhgënjyer që sistemi ynë gjyqësor ka bërë shumë pak për ta ndaluar atë”, tha Amy Hagstrom Miller, presidente e organizatës “Whole Woman’s Health”, e cila drejton katër klinika aborti në Teksas.

Përbërja e Gjykatës së Lartë ndryshoi me shtimin e tre anëtarëve të emëruar nga ish-presidenti Donald Trump, i cili në vitin 2020 u bë presidenti i parë në detyrë që mbajti një fjalim në tubimin “Marshimi për Jetën”. Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris nuk morën pjesë në tubimin e së premtes.

Ligjvënësit nga të dyja partitë bënë deklarata të ndryshme lidhur me përvjetorin e vendimit “Roe kundër Wade”, që reflektuan pikëpamjet e ndryshme në peizazhin politik të vendit lidhur me çështjen e abortit.

"Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e më të rinjve dhe grupit më të pambrojtur", tha ligjvënësi Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Shëndeti dhe të drejtat e grave dhe familjeve në të gjithë vendin janë duke u kërcënuar nga përpjekjet e republikanëve për të sfiduar dhe përmbysur në mënyrë metodike vendimin “Roe kundër Wade”", tha senatorja demokrate nga Nju Hempshëri, Jeanne Shaheen. "Është koha për të lëshuar këmbanat e alarmit dhe për ta bërë të qartë se vendimet për trupin tonë, kujdesin tonë shëndetësor dhe të ardhmen tonë na përkasin neve."

Demokratët dhe klinikat e abortit thonë se nëse vendimi “Roe kundër Wade” rrëzohet, ata presin që kundërshtarët të rrisin kufizimet në qasjen tek ilaçet për abortin që dërgohen me postë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat