Presidenti Biden do të emërojë një grua afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë

Amerika

Presidenti Biden do të emërojë një grua afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë

Më: 29 janar 2022 Në ora: 06:35
Presidenti Joe Biden flet për daljen në pension të gjyqtarit të asociuar të Gjykatës së Lartë, Stephen Breyer, majtas, në dhomën Roosevelt të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, të enjten, 27 janar 2022. (AP Photo/Andrew Harnik)

Anëtari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Stephen Breyer, njoftoi të enjten se do të dalë në pension, duke i ofruar kështu Presidentit Joe Biden mundësinë të emërojë personin që do ta zëvendësojë atë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, Presidenti Biden u zotua se do të mbajë premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për të emëruar një grua afrikano-amerikane për postin e përhershëm.

Në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë të enjten, anëtari i Gjykatës së Lartë Stephen Breyer tha se demokracia amerikane vazhdon të jetë një eksperiment.

"Do të jetë brezi i ardhshëm dhe ai pas tij, nipërit e mi dhe fëmijët e tyre që do të përcaktojnë nëse eksperimenti po funksionon. Dhe sigurisht, unë jam një optimist dhe jam shumë i sigurtë se do të funksionojë", tha Gjykatësi Breyer.

Largimi i zotit Breyer ofron një mundësi për Presidentin Joe Biden që të emërojë zëvendësuesin, një ndër veprimet më domethënëse për një president amerikan.

Gjykata e Lartë është një degë e rëndësishme e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe thotë fjalën e fundit për kushtetueshmërinë dhe veprimet e administratës, Kongresit dhe shteteve.

Presidenti Biden tha se do të njoftojë propozimin e tij nga fundi i shkurtit.

"Personi që do të emëroj do të jetë dikush me kualifikime, karakter, eksperiencë dhe integritet të jashtëzakonshëm. Dhe personi do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane që do të emërohet në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara", tha ai.

Emërimi për nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë është i përjetshëm. Gjykatësi Breyer është vetëm një nga tre gjykatësit liberalë, të emëruar nga presidentët demokratë.

Të tjerët janë emëruar nga presidentët republikanë. Tre prej tyre u emëruan gjatë katër viteve të administratës së ish-Presidentit Trump.

Gjatë tetë viteve të tij në detyrë, Presidenti Barack Obama emëroi dy gjykatëse dhe republikanët bllokuan emërimin e tij të tretë.

Me vetëm 50 senatorë demokratë në senatin amerikan të përbërë nga 100 senatorë, Presidentit Biden do t'i duhen të gjitha votat e tyre që të konfirmohet i emëruari i tij. Presidenti Biden do të merrte ndoshta votat e një ose dy senatorëve republikanë nëse do të zgjidhte një gjykatës të moderuar, thotë Adam White, studiues në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes.

"Por koalicioni demokrat nuk dëshiron një gjykatës të moderuar. Ata dëshirojnë dikë që është shumë i përkushtuar ndaj çështjeve të caktuara, si drejtësia penale dhe të tjera. E komplikon më tej situatën fakti se Presidenti Biden u angazhua që gjatë fushatës elektorale se do të emërojë të parën grua afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë. Pra, fusha e kandidatëve të mundshëm ngushtohet edhe më shumë", thotë zoti White.

Presidenti Biden synon ta zëvendësojë Gjykatësin Breyer përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Nëse republikanët marrin kontrollin e Senatit, Presidenti Biden do ta ketë shumë më të vështirë konfirmimin e të emëruarve në gjyqësor dhe institucione të tjera gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat