Biden konfirmon vrasjen e liderit të grupit militant IS

Amerika

Biden konfirmon vrasjen e liderit të grupit militant IS

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 14:20
Objektivi kryesor i bastisjes dukej se ishte një ndërtesë dykatëshe në periferi të Atmeh

(E plotësuar 19:47) - Presidenti Joe Biden deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara kanë marrë të gjitha masat e mundshme për të minimizuar viktimat civile gjatë operacionit të forcave speciale amerikane në veriperëndim të Sirisë, në të cilin u vra lideri i Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashemi al-Quraishi.

Ndërsa trupat amerikane iu afruan objektivit, Quraishi u ngrit në ajër, duke vrarë anëtarët e familjes, duke përfshirë gra dhe fëmijë, thanë Biden dhe zyrtarët amerikanë.

“Urdhërova Ministrinë e Mbrojtjes që të merrte të gjitha masat për të shmangur viktimat civile. Ne dërguam qëllimisht forca speciale dhe nuk përdorëm sulme me dronë për të shmangur viktimat civile. Por terroristi vendosi të hidhte në erë katin e tretë të shtëpisë, duke vrarë veten dhe disa anëtarë të familjes së tij, ashtu siç bëri paraardhësi i tij”, tha Biden në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë.

Abu Ibrahim al-Hashemi al-Quraishi ka udhëhequr Shtetin Islamik që nga vdekja e themeluesit të tij, Abu Bakr al-Baghdadi, në vitin 2019, i cili gjithashtu vdiq duke hedhur në erë veten gjatë një sulmi nga komandoja amerikane.

“Falë guximit të trupave tona, ky udhëheqës i tmerrshëm terrorist nuk është më”, tha Biden, duke vënë në dukje se forcat amerikane kishin marrë të gjitha masat e mundshme për të mbajtur në minimum viktimat civile.

Sipas tij, operacioni i mbrëmshëm u dërgoi një mesazh të fortë terroristëve në mbarë botën se ata do të gjenden.

“Të gjitha viktimat në vend janë rezultat i akteve të terroristëve të ISIS në rezidencë”, tha një nga zyrtarët e lartë të administratës së Biden, duke refuzuar të jep një vlerësim se sa civilë u vranë.

As Biden dhe as zyrtarët amerikanë nuk dhanë shifra të vdekjeve, por shpëtimtarët sirianë thanë se të paktën 13 njerëz u vranë, duke përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë.

Banorët e qytetit Atmeh, pranë kufirit me Turqinë, thanë se helikopterët u ulën dhe se zjarri dhe shpërthime të forta u dëgjuan gjatë bastisjes që filloi rreth mesnatës.

Forcat amerikane përdorën altoparlantë me zë të lartë për të paralajmëruar gratë dhe fëmijët që të largoheshin nga zona, thanë ata.

***

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një deklarate ka konfirmuar vrasjen e njërit prej liderëve kryesor të grupit militant Shteti Islamik në Siri.

Në deklaratën e presidentit amerikan, konfirmohet se trupat amerikane kanë vrarë në Siri, liderin e IS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi.

“Falë aftësive dhe trimërisë së forcave tona të armatosura, ne kemi hequr nga fushëbeteja Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi - liderin e ISIS. Të gjithë amerikanët janë kthyer shëndoshë e mirë nga operacioni”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media nga zyra e presidentit Biden.

Biden ka bërë të ditur se operacioni është kryer nën drejtimin e tij dhe se është zhvilluar në veriperëndim të Sirisë.

Sipas presidentit amerikan, Biden, trupat amerikane kryen të operacion të kundërterrorizimit me qëllim që bota të jetë një vend më i sigurt.

Pas vrasjes së Abu Bakr al-Baghdadi më 27 tetor, 2019, grupi militant IS kishte shpallur për lider të ri, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshin.

Më 19 dhjetor, 2018, asokohe presidenti amerikan, Donald Trump, kishte shpallur fitoren mbi grupin militant Shteti Islamik. Por grupe të IS-it kishin vazhduar të kontrollonin disa territore brenda Sirisë.

Më 23 mars, 2019, zyrtarisht IS-i humbi kontrollin mbi territorin e fundit që kishte nën kontroll në Baghouz.

Një numër i madh i pjesëtarëve të IS-it u arrestuan dhe ende vazhdojnë të mbahen nëpër burgje të ndryshme në Siri.

Image
Nuk dihet ende se kush jetonte brenda ndërtesës së synuar në operacionin amerikan
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat