SHBA, shqetësim mbi afatet për shpëtimin e marrëveshjes me Iranin

Amerika

SHBA, shqetësim mbi afatet për shpëtimin e marrëveshjes me Iranin

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 06:05
Foto ilustrim

Shtëpia e Bardhë nxiti publikisht Iranit të mërkurën të shpëtojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, duke thënë se rikthimi tek ajo do të ishte i pamundur nëse nuk arrihet një pakt brenda pak javësh.

"Bisedimet tona me Iranin kanë arritur në një pikë kritike në raport me afatet", u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, duke vënë në dukje se i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Iranin, Rob Malley, është rikthyer në Vjenë për bisedime indirekte me Teheranin.

"Ndodhemi pranë një marrëveshjeje që trajton shqetësimet thelbësore të të gjitha palëve, por nëse ajo nuk arrihet gjatë javëve të ardhshme, përparimet e vazhdueshme bërthamore të Iranit, do ta bënin të pamundur për ne rikthimin tek marreveshja e 2015-s", tha zonja Psaki.

Komentet e zonjës Psaki u bënë jehonë komenteve të një zyrtari të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili u tha gazetarëve më 31 janar se kanë mbetur vetëm pak javë për të ringjalljen e marrëveshjes së 2015-s.

Bazuar tek kjo marrëveshje, Irani kufizoi programin e tij bërthamor. Marrëveshja ia bënte më të vështirë Teheranit sigurimin e materialit të nevojshëm për prodhimin e një bombë bërthamore, një ambicie që Irani mohon ta ketë. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera lehtësuan sanksionet ndaj këtij vendi.

Por në vitin 2018, ish-Presidenti i SHBA-ve Donald Trump e braktisi marrëveshjen, duke argumentuar se ajo kishte dështuar të ndalonte mbështetjen që Irani u ofronte aktorëve rajonalë që vepronin për llogari të tij, apo se i ofronte Teheranit me shumë lehtësim nga sanksionet, në raport me kufizimet bërthamore të vendosura ndaj tij. Pas largimit nga marrëveshja zoti Trump i rivendosi sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe një vit më vonë, autoritetet e këtij të fundit, nisën të shkelin kufizimet bërthamore që parashikonte marrëveshja e 2015-s./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat