Sekretari amerikan i Mbrojtjes premton trajnime ushtarake për vendet baltike

Amerika

Sekretari amerikan i Mbrojtjes premton trajnime ushtarake për vendet baltike

Më: 10 gusht 2022 Në ora: 21:55
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe ministri letonez i Mbrojtjes, Artis Pabriks gjatë një konference për media në Riga, Letoni. 10 gusht 2022.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kryejnë më shumë stërvitje ushtarake me vendet baltike, siç është Letonia, dhe do ofrojnë trajnime të shtuara, tha më 10 gusht Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Gjatë një konference për media me ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Artis Pabriks në Riga, ai tha se nëse është e nevojshme, Uashingtoni mund të sjellë gjithashtu më shumë trupa amerikane për të forcuar rajonin kundër çdo kërcënimi të mundshëm nga Rusia.

Austin, i cili po qëndron në një vizitë dy-ditore në Letoni, tha se planet për të bërë rotacione të vazhdueshme të forcave në Baltik janë që të përdorin trupa nga brigadat e SHBA-së në Rumani dhe pjesë të tjera të Evropës, por "ne mund të sjellim edhe forca nga Shtetet e Bashkuara”.

Gjatë vizitës së tij, Austin ripërsëti vazhdimisht angazhimin e Amerikës për të ndihmuar rajonin që të mbrohet.

Austin është Sekretari i parë i Mbrojtjes i SHBA-së që viziton Letoninë në gati tre dekada, duke theksuar rëndësinë e shtuar të vendeve baltike që qëndrojnë në skajin perëndimor të Rusisë.

Pentagoni tha se shefi i fundit i mbrojtjes i SHBA-së që shkoi në Letoni ishte William Perry në vitin 1995./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat