Uragani Ian kërcënon Floridën

Amerika

Uragani Ian kërcënon Floridën

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Uragani Ian është forcuar, duke u bërë stuhi e kategorisë 4 ndërsa i afrohet Floridës. Autoritetet amerikane kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në zonat që pritet të goditen nga uragani. Një ditë më parë stuhia goditi Kubën duke lënë pas shkatërrime të mëdha.

Uragani Ian goditi provincën Pinar del Rio të Kubës herët të martën. Autoritetet ndërprenë energjinë elektrike për të gjithë provincën prej 850,000 banorësh si masë paraprake dhe evakuuan 40,000 njerëz nga zonat e ulëta bregdetare, sipas njoftimeve nga mediat lokale.

Erërat e fuqishme lanë pas shumë shkatërrime në vendin e varfër, ndërsa rrugët mbeten të pakalueshme, të bllokuara nga pemët e rrëzuara dhe linjat e energjisë elektrike.

“Ishte një katastrofë. Kurrë nuk kam përjetuar një stuhi të tillë. Kam humbur gjithçka”, thotë 56 vjeçarja Ana Julia Gomez e cila jeton e vetme në Pinar del Rio.

Uragani i është drejtuar Floridës dhe ka shtur intensitetin me erëra që kapin shpejtësinë rreth 200 kilometra në orë, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve (NHC).

Banorët në Port Charlotte të Floridës, të cilët 18 vjet më parë përjetuan shkatërrimet e uraganit Charley, kanë marrë masa.

Abraham Papam, po vë pllaka mbrojtëse rreth e rrotull biznesit të vajzës së tij. Ai thotë se 18 vjet më parë uragani Charley shkatërroi gjithçka.

“Jemi të shqetësuar, pasi ngjan me vitin 2004”.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden foli me guvernatorin e Floridës Ron DeSantis të martën në mbrëmje dhe diskutoi se si qeveria federale mund ta ndihmonte Floridën.

“Administrata ime është në gatishmëri dhe po vepron për të ndihmuar Floridën. E kam miratuar menjëherë kërkesën e Floridës për ndihmë urgjente. Agjencia e emergjencave ka vendosur 700 punonjës në Florida para uraganit. Guvernatori ka aktivizuar 5 mijë pjestarë të gardës kombëtare dhe 2 mijë pjestarë do të vijnë nga shtete të tjera”, tha Presidenti Biden.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, u bëri thirrje banorëve të Floridës jugperëndimore që të evakuoheshin menjëherë.

"Ka të ngjarë që kur të godasë brigjet tona, studia të jetë e kategorisë 4. Do të ketë përmbytje katastrofike dhe stuhia do të rrisë nivelin e ujërave duke kërcënuar jetët e banorëve nga Naples deri në Sarasota. Lumenjtë ka të ngjarë të dalin nga shtrati dhe reshjet të shkaktojnë përmbytje”, tha guvernatori Ron DeSantis.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se forcimi i stuhisë përgjatë brigjeve të Gjirit të Meksikës mund të ketë pasoja katastrofike, me disa zona që mund të bëhen të pabanueshme për javë ose muaj. Banorët janë evakuuar nga zonat e rrezikshme ndërsa aeroportet kanë ndaluar fluturimet./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat