Operacionet e ndihmave pas uraganit Ian

Amerika

Operacionet e ndihmave pas uraganit Ian

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Uragani Ian goditi pjesën jugperëndimore të Floridës vetëm për disa orë. Por për të pastruar të gjitha dëmet do të duhen muaj të tërë. Nga Florida deri në Karolinën Veriut vazhdojnë pa ndërprerje përpjekjet në ndihmë të banorëve të prekur nga uragani shkatërrues. Shumë pronarë shtëpish e biznesesh kanë filluar të vlerësojnë dëmet. Të tjerë thonë se stuhia ka rrafshuar gjithçka ndërsa rritet numri i vdekurve.

Pak ditë pasi uragani Ian goditi pjesën qendrore dhe jugperëndimore të Floridës, imazhet e reja tregojnë dëmet e mëdha që la pas stuhia. Në qarkun Volusia, shtëpitë janë nën ujë, e shumë objekte janë shembur. Pas mbylljes së detyruar nga përmbytjet, tashmë është hapur një segment 20 kilometra i autostradës në qarkun Sarasota. Por rritja e nivelit të ujit mund ta mbyllë përsëri këtë rrugë të rëndësishme.

Në qytezën North Port përmbytjet janë të dukshme, lagje dhe rrugë të zhytura në ujë. Rickey Anderson është një nga banorët e zhvendosur.

Duam ndihmë. Do të doja ndihmë ta bëja përsëri të banueshme shtëpinë time sepse nuk kam ku të shkoj”.

Në ishullin e famshëm Sanibel dhe Captiva, uji dhe ushqimet po pakësohen. Uragani e shkëputi qytezën ishull nga Florida. Dana Souza është punonjës i bashkisë.

“Prishja e rrugës dhe urës e vështirëson dërgimin e materialeve në ishull”.

Imazhet satelitore të sapo publikuara nxjerrin në pah shkatërrimet e stuhisë. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis thotë se kthimi në normalitet do të kërkojë shumë kohë.

Po punohet për rregullimin e antenave të telefonisë celulare, internetit dhe linjave të energjisë elektrike”.

Më tutje, në brigjet e Karolinës së Jugut të goditur të premten nga stuhia, vazhdojnë operacionet e ndihmave. Banori Eddie Wilder Pawley është ndër të prekurit nga stuhia.

“Banoja pranë skelës dhe pamë atë të shkërmoqej dhe pluskonte pranë bregut. Ishte një skenë mjaft rrënqethëse”.

Ndërkohë, stuhia e dobësuar tani është drejtuar për në pjesën verilindore të vendit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat