Gati tre vjet burg për pjesëmarrësin në sulmin ndaj Kapitolit

Amerika

Gati tre vjet burg për pjesëmarrësin në sulmin ndaj Kapitolit

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 06:08
Alan William Byerly, në qendër, duke sulmuar fotografin e agjensisë së lajmeve Associated Press gjatë sulmit ndaj Kapitolit (Uashington, 6 janar 2021)

Një person nga Pensilvania u dënua të premten me gati tre vite burgim, pasi sulmoi një fotograf të agjensisë së lajmeve Associated Press dhe oficerët e policisë me një pistoletë me rrymë elektrike gjatë trazirave në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.

Alan Byerly u kërkoi ndjesë viktimave të tij përpara se Gjykatësi Randolph Moss ta dënonte me dy vite dhe 10 muaj burgim, të cilat do të pasohen nga tre vite të tjera në liri me kusht. Të dënuarit Byerly do t’i njihen 15 muajt që ka kaluar tashmë në qeli që nga momenti i arrestimit, thanë avokatët e tij.

“Nuk shkova në Uashington për të lënduar ndokënd”, i tha zoti Byerly gjykatësit.

55-vjeçari pranoi fajësinë në korrik për sulmin ndaj fotografit të agjensisë së lajmeve Associated Press (AP), John Minchillo, si dhe për aktivizimin e një pistolete me rrymë elektrike, ndërsa sulmonte oficerët e policisë që po përpiqeshin të përmbanin turmën e mbledhur jashtë Kapitolit më 6 janar 2021.

Zoti Byerly pranoi sjelljen e keqe kur ishte përballur me oficerët e policisë. Ai gjithashtu tha se kishte sulmuar zotin Minchillo, pasi dëgjoi një zë që tha se “Ai është Antifa. Largojeni prej këtu”.

Zoti Minchillo mbante të varur në qafë një dokument identifikimi me gërmat AP, kur zoti Byerly dhe pjesëmarrësit e tjerë në trazira e sulmuan në taracën e poshtme perëndimore të Kapitolit, thuhet në dokumentat gjyqësore të shoqëruara me pranimin e fajësisë nga zoti Byerly. Ai e kapi zotin Minchillo, e shtyu mbrapsht dhe e tërhoqi drejt një turme, thuhet në dosje. Sulmi u regjistrua me video nga një tjetër fotograf i AP-së.

Image
Alan William Byerly duke e tërhequr fotografin më 6 janar 2021

“Nuk duhet të isha përfshirë kurrë, dhe më vjen shumë keq për veprimet e mia”, tha zoti Byerly.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim prej të paktën tre vitesh dhe 10 muajsh burgim, të pasuar nga tre vite lirie me kusht. Avokatët mbrojtës kishin kërkuar një dënim më të ulët.

Gjykatësi Moss tha se besonte që zoti Byerly është sinqerisht i penduar për rolin e tij në “sulmin ndaj demokracisë” nga turma. Gjykatësi tha se ishte e qartë se zoti Byerly nuk do të kishte arritur të lëndonte dikë me armën e lirë me rrymë elektrike që pati sjellë në Kapitol, por se oficerët e policisë nuk mund ta dinin një gjë të tillë, për shkak të zhurmës që bënte arma.

“Ishin qartësisht të frikësuar prej saj”, tha Gjykatësi Moss. “Pa dyshim që e shtoi frikën që ndjenë oficerët atë ditë”.

Zoti Minchillo “gjithashtu duhet të ketë qenë jashtëzakonisht i frikësuar”, tha gjykatësi.

Asnjë nga viktimat e zotit Byerly nuk ishin të pranishëm gjatë dhënies së dënimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat