Projektligji mbi martesat brenda së njëjtës gjini dhe ato ndër-racore, drejt miratimit përfundimtar

Amerika

Projektligji mbi martesat brenda së njëjtës gjini dhe ato ndër-racore, drejt miratimit përfundimtar

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 21:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Projektligji që garanton mbrotjen e martesave brenda së njëjtës gjini dhe ato ndër-racore duket se po shkon drejt miratimit përfundimtar në Kongres dhe nënshkrimit në ligj nga Presidenti Joe Biden. Projektligji është frut i një marrëveshjeje dypartiake që pasqyron një pranim më të gjerë të të drejtave të homoseksualëve, si në Kongres ashtu edhe në të gjithë vendin.

Masa legjislative, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave të rreth gjysmë milioni çifteve të martuara në SHBA, kaloi në Senat javën e kaluar dhe këtë javë hidhet në votim në Dhomën e Përfaqësuesve, ku miratimi i tij pritet të jetë i sigurt.

Shumë çifteve, miratimi i atij që njihet si Akti për Respektimin e Martesës u dha një ndjenjë lehtësimi dhe një arsye për të festuar. Por pavarësisht këtyre zhvillimeve ata thonë se ende mbetet shumë punë për të bërë.

Miratimi i ligji u nxit për shkak të frikës se shumica konservatore në Gjykatën e Lartë mund të shfuqizonte disa të drejtat, për garantimin e të cilave u deshën dekada, ashtu siç ndodhi me shfuqizimin e të drejtës për abort, në fillim të këtij viti.

Megjithatë projektligji nuk i ndalon shteteve që t'u mohojnë këtyre çifteve të drejtën për t'u martuar, nëse Gjykata e Lartë anulon një vendim të vitit 2015 për legalizimin e martesave brenda të njëjtës gjini.

Mbështetja e gjerë për projektligjin, për të cilin votuan pro edhe 12 senatorë republikanë, u pa si një zhvillim i papritur, duke pasur parasysh historinë e gjatë përçarëse mbi këtë çështje. Presidenti Biden ka thënë se ai do ta nënshkruajë menjëherë dhe me krenari këtë ligji.

Çfarë përmban projektligji?

Ligji thotë se qeveria federale dhe shtetet duhet të njohin martesat e lidhura ligjërisht, pavarësisht nga gjinia, raca, përkatësia etnike ose origjina kombëtare e një personi, duke i njohur gjithashtu çdo njeriu të drejtën për të ngritur padi për të garantuar zbatimin e tij.

Ai gjithashtu ruan lirinë aktuale fetare ose mbrojtjen e besimit individual, duke deklaruar se organizatat fetare jofitimprurëse, ose organizatat jofitimprurëse me natyrë fetare, nuk janë të detyruara të ofrojnë mallra e shërbime që lidhen me këto lloje martesash. Për shembull, një kishe, që nuk mbështet martesat brenda së njëjtit seks, nuk do t'i kërkohet të japë me qira hapësirat e saj për një bashkim të tillë.

Si mbërritëm deri këtu?

Rreth 25 vjet më parë një shumicë dypartiake miratoi Aktin e Mbrojtjes së Martesës, që njihet ndryshe si DOMA, i cili e përkufizonte martesën si një bashkim mes një gruaje dhe një burri. Në të thuhej se qeveria federale nuk i njihte martesat brenda të njëjtit seks për qëllime të tilla si deklarimi i taksave, apo përfitimet që lidhen me sigurimet shoqërore në rastin e vdekjes së bashkëshortit. Po kështu thuhej se një shtet nuk ishte i detyruar të njihte një bashkim në martesë brenda të njëjtës gjini të kryer në një shtet tjetër. Në vitin 2013, një vendim i Gjykatës së Lartë e shpalli jokushtetues atë pjesë të DOMA-s, ku thuhej se qeveria federale nuk do t’i njihte martesat brenda së njëjtës gjini.

Dy vite më vonë, në një vendim të njohur si “Obergefell kundër Hodges”, gjykata doli në përfundimin se ndalimi i martesave brenda së njëjtës gjini ishte jokushtetues. Ky vendim historik legalizoi martesat e homoseksualëve në mbarë vendin, duke i dhënë fund ndalimeve në 14 shtete që pengonin martesa të kësaj natyre. Që nga ajo kohë në SHBA janë martuar me qindra mijëra çifte të të njëjtit seks.

Për çiftet ndër-racore e drejta për t'u martuar është njohur prej një kohe më të gjatë. Një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 1960, njohur si “Loving kundër Virxhinias”, zhvlerësoi ligjet e këtij shteti që ndalonin martesat mes njerëzve të racave të ndryshme.

Në vitet që pasuan vendimin e njohur si “Obergefell kundër Hodges”, disa mbështetës të të drejtave të homoseksualëve ishin të shqetësuar se liria për t'u martuar një ditë mund të ndalohej ndaj dhe nxitën miratimin e Aktit të Respektimit të Martesës, thotë Jon Davidson, një avokat për Projektin LGBTQ dhe HIV të organizatës Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) i cili ka qenë gjithashtu edhe bashkë-përfaqësues ligjor për rastin Obergefell.

Deri verën e këtij viti nuk kishte pasur ndonjë urgjencë, apo vullnet politik për ta çuar këtë çështje përpara.

Pse tani?

Në qershor, një shumicë e re konservatore në Gjykatën e Lartë rrëzoi vendimin e njohur si “Roe kundër Wade”, i vitit 1973, që kishte garantuar të drejtën për abort për gati 50 vjet. Pas vendimit të gjykatës, shtetet fituan fuqinë për të vendosur vetë, nëse do ta ndalonin abortin, apo jo. Pothuajse menjëherë hynë në fuqi një sërë ligjesh, mes tyre ndalime pa asnjë kufizim të abortit, në rreth 12 shtete.

Në emër të mazhorancës, gjykatësi Samuel Alito tha se "asgjë në këtë opinion nuk duhet parë si një arsye për të hedhur dyshime mbi precedentë që nuk kanë të bëjnë me abortin".

Por ishte qëndrimi i kolegut të tij konservator, gjykatësit Clarence Thomas, që alarmoi mbështetësit e të drejtave të homoseksualëve.

"Unë pajtohem që asgjë në opinionin e gjykatës nuk duhet parë si arsye për të hedhur dyshime mbi precedentët që nuk kanë të bëjnë me abortin”, shkruante zoti Thomas. Por ai shtonte se "për këtë arsye, në rastet e ardhshme, ne duhet të rishqyrtojmë të gjithë precedentët e rendësishëm, që kanë të bëjnë me një proces të rregullt ligjor të kësaj Gjykate. Dhe kjo sipas zotit Thomas përfshinte dhe vendimin në rastin “Obergefell kundër Hodges”.

Deklarata nxiti shqetësim të madh tek shumë njerëz dhe i dha një vrull të ri përpjekjeve për të miratuar Aktit e Respektit ndaj Martesës, thotë Andrew Koppelman, profesor i së drejtës në Universitetin “Northwestern”.

"Në SHBA ka gjysmë milioni çifte të të njëjtës gjini dhe gjykatësi Thomas në thelb po u thotë atyre: “tashmë do t'u vihemi juve nga pas", thotë zoti Koppelman. "Ndaj kjo prodhoi një lloj ndjenje urgjence që nuk ekzistonte më parë", shton ai.

Deri tani nuk është shfaqur asnjë rast ku t’i kërkohet Gjykatës së Lartë të zhbëjë vendimet që mbrojnë martesat brenda të njëjtit seks dhe ato ndër-racore. Por demokratët zgjodhën të vepronin ndërsa kishin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi për një variant të hershëm të projektligjit në korrik, duke e miratuar atë me 267 vota pro dhe 157 kundër. Rezultati i votimit befasoi disa vetë, pasi 47 ligjvënës ishin republikanë, që votuan pro ligjit.

Votimi ishte pasqyrim i një ndryshimi të përgjithshëm në pikëpamjet e publikut, thotë zoti Davidson. Gjatë një periudhe, shumica e popullatës në SHBA ishin kundër martesave brenda të njëjtës gjini. Por në një sondazh të organizatës Gallup të muajit qershor, 71% e amerikanëve në moshë të rritur shpreheshin se bashkimi në martesë brenda të njëjtës gjini duhet të jetë i vlefshëm sipas ligjit.

Demokratët vonuan shqyrtimin e projektligjit në Senatin e ndarë 50 me 50 deri pas zgjedhjeve të 8 nëntorit, duke shpresuar që të siguronin mbështetjen e 10 republikanëve për të arritur pragun e nevojshëm prej 60 votash, që do t’i hapte rrugën miratimit të tij.

Përfundimi i zgjedhjeve, ishte një arsye më shumë për demokratët që të vepronin me shpejtësi, nga frika se një shumicë e re republikane në Dhomën e Përfaqësuesve do të refuzonte shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit në janar.

Cili ka qene reagimi?

Shumica e republikanëve ende e kundërshtojnë projektligjin, duke thënë se është i panevojshëm. Ata përmendin gjithashtu shqetësimet që lidhen me lirinë fetare. Gjithashtu javët e fundit, disa grupe konservatore kanë folur kundër ligjit. Pasi ligji u miratua në Senat të martën e kaluar, një zyrtar i Aleancës Mbrojtja e Lirisë e kritikoi vendimin dhe tha se ai rrezikonte liritë fetare për miliona amerikanë.

"Ky projektligj i rrezikshëm e cinik dhe krejtësisht i panevojshëm, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Amendamentit të Parë", tha Ryan Bangert, nënkryetari i organizatës.

Për zotin Davidson, votimi në Senat ishte një tregues se si ka ndryshuar perceptimi publik mbi këtë çështje. Ai tha se publiku ka vënë re gjatë viteve të fundit se pikëpamjet e konservatorëve mbi fundin e botës, pra se çfarë mund të ndodhte nëse do të lejoheshin martesat e çifteve brenda të njëjtit seks, ishin për të përhapur panik.

"Ata kanë thënë se qytetërimi ashtu sikurse e njohim, do të merrte fund (nëse ata martoheshin)”, tha zoti Davidson.

"Tashmë çiftet brenda të njëjtës gjini kanë patur mundësi të martohen ligjërisht dhe këto martesa të njihen për shtatë vjet kudo në vend, dhe asgjë e keqe nuk ka ndodhur", shton ai.

Por në të njëjtën kohë, komuniteti LGBTQ ka qenë objektiv i dhunës, thotë zoti Davidson, duke vënë në dukje sulmin e përgjakshëm pak kohë më parë në një klub nate homoseksualësh në Kolorado. Ai i bëri thirrje Kongresit të bëjë më shumë për të mbrojtur komunitetin transgjinor dhe të gjithë personat që janë viktimizuar.

Garantimi i njohjes ligjore të martesës dhe trajtimi në mënyrë të barabartë i kësaj çështjeje është i rëndësishëm, por jo më i rëndësishëm sesa garantimi i jetës”, tha ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat