Gjykatësi vendos dënimin më të gjatë për komplotin e rrëmbimit të guverantores së Miçiganit

Amerika

Gjykatësi vendos dënimin më të gjatë për komplotin e rrëmbimit të guverantores së Miçiganit

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 07:28
Barry Croft Jr.

Një shofer kamioni nga shteti Delaware, i konsideruar si orkestruesi i komplotit për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit, Gretchen Whitmer u dënua të mërkurën me më shumë se 19 vjet burg – dënimi më i gjatë deri tani për pjesëmarrësit në këtë komplot.

Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për 47 vjeçarin Barry Croft Jr., i pandehuri i katërt dhe i fundit në këtë çështje. Gjykatësi Robert J. Jonker e përshkroi atë si "personi që kishte pasur "idenë" për komplotin dhe tha se ai kishte aftësi komunikuese shumë bindëse për ata që ishin të hapur ndaj pikëpamjeve të tij.

"Sado e mbrapshtë apo e paarsyeshme që mund të duket për shumë prej nesh, ideja kishte bërë jehonë tek audienca së cilës i drejtohej ," tha gjykatësi. "Kjo është një metodë udhëheqjeje po aq e rëndësishme sa të jesh jashtë në terren dhe t’u thuash njerëzve se ku të shkojnë."

Avokati mbrojtës Joshua Blanchard tha se do të apelonte dënimin.

Croft dhe Adam Fox u shpallën fajtorë në gusht për akuza për komplot në Grand Rapids. Croft gjithashtu u shpall fajtor për posedimin e një eksplozivi të paregjistruar.

Fox, 39 vjeç, u dënua të martën me 16 vjet burg. Edhe për të akuza kishte kërkuar dënim të përjetshëm për të.

Të dy personat u akuzuan për orkestrimin e një komploti për të rrëmbyer guvernatoren Gretchen Whitmer nga shtëpia e saj e pushimeve pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Autorët ishin të zemëruar për kufizimet e ashpra të COVID-19 që zonja Whitmer dhe zyrtarë në shtete të tjera kishin vendosur gjatë muajve të parë të pandemisë, si dhe kërcënimet që ata mendonin se po i bëheshin të drejtës për armëmbajtje.

Guvernatorja Whitmer nuk u lëndua fizikisht. FBI ishte infiltruar fshehurazi në grup dhe bëri 14 arrestime.

"Bëhet fjalë për një komplot për të rrëmbyer fizikisht guvernatoren, ndoshta edhe për ta vrarë atë. Nuk ka më rëndë se kaq”, tha gjykatësi Jonker përpara se të shpallte dënimin.

Ndihmës Prokurori Nils Kessler e quajti zotin Croft "udhëheqësin shpirtëror" të grupit të komplotistëve, duke e krahasuar rolin e tij me atë të "disa sheikëve të ISIS-it".

"Ky njeri është plotësisht i radikalizuar. Ai nuk i ka ndryshuar pikëpamjet e tij," shtoi zoti Kessler.

Zyra e zonjës Whitmer nuk pranoi të komentojë të mërkurën. Ajo tha në gusht se vendimet që i shpallnin të akuzuarit fajtorë vërtetuan se "ata që kërkojnë të na ndajnë, do të mbajnë përgjegjësi".

Ajo tha gjithashtu se komplote të tilla janë "një përhapje shqetësuese e terrorizmit të radikalizuar të brendshëm" që kërcënojnë "vetë themelin e republikës sonë".

Një juri tjetër në Grand Rapids nuk mundi të merrte një vendim për dy personat në gjyqin e parë pranverën e kaluar, por liroi dy të tjerë.

Në një nga provat kryesore, Croft, Fox dhe të tjerë udhëtuan për të parë shtëpinë e pushimit të zonjës Whitmer në Miçiganin verior. Brenda grupit kishte agjentë të fshehtë.

Dy persona që pranuan fajësinë dhe dëshmuan kundër Fox-it dhe Croft-it morën dënime shumë më të ulëta.: Ty Garbin tashmë është i lirë pas një dënimi me 2 ½ vjet burg, ndërsa Kaleb Franks u dënua me katër vjet.

Kur komploti u parandalua, zonja Whitmer fajësoi presidentin e atëhershëm Donald Trump, duke thënë se ai kishte mbështetur ata “që përhapin frikë, urrejtje dhe ndarje"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat