Ministri i jashtëm britanik vizitë në SHBA, Kanada; në epiqendër mbështetja për Ukrainën

Amerika

Ministri i jashtëm britanik vizitë në SHBA, Kanada; në epiqendër mbështetja për Ukrainën

Më: 17 janar 2023 Në ora: 06:17
James Cleverly gjatë një fjalimi në parlamentin britanik

Ministri i jashtëm britanik James Cleverly do të inkurajojë mbështetjen për Ukrainën gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada që fillon të martën, përpara se të mbushet një vit nga sulmi i Rusisë.

Britania ka qenë një mbështetëse e vendosur e Kievit që nga fillimi i sulmit të Rusisë shkurtin e kaluar, dhe premtoi gjatë fundjavës se do të dërgojë 14 tanke të tipit Challenger dhe armatime të tjera të rënda drejt Ukrainës.

Gjermania është gjendur nën presion për të dërguar tanket e tipit Leopard 2 në Ukrainë, por qeveria gjermane thotë se tanke të tilla duhet të dërgohen në Ukrainë vetëm nëse ka dakortësi mes vendeve kryesore aleate të Kievit, në veçanti Shtetet e Bashkuara.

Zoti Cleverly do t’i thotë Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe homologes kanadeze Melanie Joly se kjo është koha e duhur për të ecur “më tej dhe më me shpejtësi” në dhënien e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Sot qëndrojmë të bashkuar kundër luftës ilegale të Putinit, dhe do të vazhdojmë të përdorim lidhjet në veçanti të forta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, për t’u siguruar se në fund, do të fitojë populli ukrainas”, u shpreh zoti Cleverly në një deklaratë përpara udhëtimit.

Ministria e jashtme britanike tha gjithashtu se zoti Cleverly do të ngrejë temën e Iranit gjatë vizitës, pasi Britania ka thërritur përkohësisht ambasadorin e saj pas ekzekutimit të shtunën të shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat