Arizona, sekuestrohen substanca kimike që dyshohet se përdoren për prodhimin e fentanilit

Amerika

Arizona, sekuestrohen substanca kimike që dyshohet se përdoren për prodhimin e fentanilit

Më: 21 janar 2023 Në ora: 09:32
Gjatë operacionit policor në magazinë nuk u gjet asnjë person dhe deri më tani nuk ka të arrestuar

Agjentët amerikanë në Arizonën jugore sekuestruan të enjten një sasi substancash kimike prej rreth 200 kilogramësh që ata dyshojnë se përdoren për të prodhuar drogën e rrezikshme fentanil, një tregues se prodhimi i kësaj droge të rrezikshme mund të ketë filluar të kryhet edhe në tokën amerikane.

Substanca në formë pluhuri po transportohej të enjten në mëngjes nga magazina e një rezidencë në qytetin Tukson.

Autoritetet thanë se në këtë objekt gjatë muajve të fundit, ishin dërguar nga Kina, një seri pakosh të dyshimta, pa përcaktuar përmbajtjen e tyre.

Gjatë operacionit policor në magazinë nuk u gjet asnjë person dhe deri më tani nuk ka të arrestuar.

Leo Lamas, agjenti special tha se hetimet nisën disa muaj më parë pasi autoritetet mësuan se pako të dyshimta me substanca kime, po dërgoheshin nga Kina në dy destinacione në qytetin e Tuksonit.

“Kemi dyshime se përdoret për prodhimin e fentanilit”, tha zoti Lamas.

Autoritetet po vijojnë hetimet mbi personat e përfshirë në transportimin dhe ruajtjen e substancave, ndërsa nuk ka ende informacion nëse ata janë pjesëtarë të ndonjë grupi kriminal vendas, apo pjesë e një rrjeti ndërkombëtar droge.

Nëse hetimet e mëtejshme tregojnë se lënda do të përdorej për prodhimin e opioidit të fuqishëm fentanil, sasia e konfiskuar të enjten tregon se prodhimi është zhvendosur pranë konsumatorit në Shtetet e Bashkuara.

“Bazuar në karrierën time, mund të them se fentanili është substanca me e rrezikshme me të cilën duhet të përballemi”, thotë zoti Lamas.

DEA, agjencia kundër drogave, thotë se fentanili është shkaktar i numrit më të lartë të vdekjeve nga mbidoza në SHBA. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në vitin 2021 u shënuan 107,000 vdekje si rezultat i mbidozave nga përdorimi i drogave. 75 për qind e tyre nga fentanili.

Fentanili, është një ilaç narkotik për të trajtuar dhimbjet e forta nga problemet shëndetësore, përfshirë sëmundjen e kancerit, por që ka gjetur përdorim si drogë duke u shitur mënyrë të paligjshme.

Pjesa më e madhe e fentanilit të paligjshëm që hyn në SHBA prodhohet nga kartelet meksikane të drogës.

Fentanili shitet në forma të ndryshme, përfshirë pilula blu, që duken si oksikodon, ilaç për lehtësimin e dhimbjeve.

Në formën e tij pluhur, fentanili shpesh përzihet me droga të tjera si heroina ose metamfetamina.

“Çfarë e bën më të rrezikshme është fakti se nuk është shumë e shtrenjtë. Mund të blihet nga çdokush”, thotë zoti Lamas.

Kjo ka ndikuar që fentanili të përdoret masivisht gjatë viteve të fundit. Por një sasi e vogël mund të rezultojë fatale sepse është 50 herë më e fuqishme se heroina. Varësia ndaj fentanilit është përhapur tek të pastrehët në Los Anxhelos dhe qytete të tjera të mëdha perëndimore, ku shitet në doza të vogla me kosto të ulët./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat