Mbyti për vdekje me bluzë përdhunuesin e saj, burgosja e gruas meksikane shkakton protesta

Amerika

Mbyti për vdekje me bluzë përdhunuesin e saj, burgosja e gruas meksikane shkakton protesta

Më: 17 maj 2023 Në ora: 14:12
Roxana Ruiz

Një grua që mbyti përdhunuesin e saj për vdekje me një bluzë, është dënuar me burg dhe kjo gjë ka shkaktuar protesta në Meksikë.

Roxana Ruiz u dënua me gjashtë vjet e dy muaj burg për “përdorim të tepruar të vetëmbrojtjes” pasi mbyti burrin që hyri në shtëpinë e saj, e kërcënoi dhe e përdhunoi.

Gjykata e Shtetit të Meksikës tha se ndërsa e pranon se ajo ishte viktimë e përdhunimit, një goditje në kokë do të kishte mjaftuar për të mbrojtur veten dhe jo ta mbyste atë.

“Ndihem e trishtuar dhe e zhgënjyer nga drejtësia. Nëse nuk do të kisha mbrojtur veten, do të isha e vdekur,” tha Ruiz për mediat jashtë gjykatës në komunën e Nezahualcóyotl, një nga më të rrezikshmet për një grua në Meksikë.

Nezahualcoyotl është komuna e dytë në shtetin e Meksikës me numrin më të madh të vrasjeve me dashje të grave. Roxana i tha Gazetës El País se jeton me frikë për veten dhe të ardhmen e djalit të saj pesëvjeçar.

“Ndihem keq dhe ndjej një shtrëngim në gjoks sepse nuk dua të kthehem në burg”, tha ajo vitin e kaluar.

Sipas statistikave të qeverisë, 3,755 gra u vranë në Meksikë vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat