SHBA dënon arrestimin e një ish-punonjësi rus të të Misionit Diplomatik Amerikan në Vladivostok

Amerika

SHBA dënon arrestimin e një ish-punonjësi rus të të Misionit Diplomatik Amerikan në Vladivostok

Më: 17 maj 2023 Në ora: 15:20
Foto ilustrim

Rusia ka ngritur akuza ndaj një shtetasi rus, ish-punonjës i Misionit Diplomatik Amerikan në Vlodivostok për 25 vjet, për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Arrestimi i tij u dënua nga Departamenti i Shtetit të martën, që e konsideroi “tërësisht të pabazuar”.

Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve njoftuan se personi i arrestuar është 62 vjeçari Robert Shonov. Shtetet e Bashkuara thanë se ai ishte i punësuar nga Konsulli i Përgjithshëm amerikan në qytetin e Vladivostokut, në lindjen e largët, deri në vitin 2021, kur Moska urdhëroi mbylljen e misionit diplomatik, një veprim që çoi në pushimin nga puna të të gjithë personelit lokal.

Shtetet e Bashkuara thanë se, ashtu siç bën Rusia në Amerikë, edhe ajo punëson personel lokal në ambasadat e saj në të gjithë botën.

Departamenti i Shtetit tha se në kohën e arrestit, zoti Shonov “ishte i punësuar nga një kompani kontraktuese që ofronte shërbime për ambasadën amerikane në Moskë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregullat ruse”.

Sipas Departamentit të Shtetit, “roli i zotit Shonov në kohën kur ai u arrestua ishte të merrej me përmbledhjen e lajmeve të publikuara në mediat ruse”.

“Vënie e tij në shënjestër, bazuar në statutin e “bashkëpunimit konfidencial”, nënvizon përdorimin në rritje të ligjeve shtypëse nga Federata Ruse kundër shtetasve të saj”.

Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve nuk dhanë hollësi të tjera për rastin kundër zotit Shonov. Ai u arrestua në mars dhe tani po mbahet në burgun Leftortovo në Moskë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me tetë vite burg./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat