SHBA, ligjvënësit kërkojnë të frenojnë blerjen e tokave bujqësore nga Kina

Amerika

SHBA, ligjvënësit kërkojnë të frenojnë blerjen e tokave bujqësore nga Kina

Më: 20 maj 2023 Në ora: 19:16
SHBA

Disa ligjvënës amerikanë po bëjnë thirrje për hartimin e një legjislacioni për të frenuar shitjen e tokave bujqësore blerësve të huaj, veçanërisht atyre nga Kina. Nga më shumë se 100 vende që kanë investime në tokat bujqësore amerikane, Kina zë vendin e 18. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh njofton se ndërsa Kongresi u bën jehonë shqetësimeve se Kina po gllabëron tokat bujqësore amerikane, ekspertët thonë se kjo është më shumë një çështje politike sesa praktike.

Shteti i Illinoit është një nga prodhuesit kryesorë të misrit dhe sojës në Shtetet e Bashkuara. Pranë qytetit Galesburg fermeri Wendell Shauman punon tokën që familja e tij ka trashëguar për breza me radhë. Ai thotë se blerja e tokave bujqësore nga Kina përbën shqetësim.

Nga viti 2019 deri në vitin 2020, kompani të lidhura me Kinën shtuan me gati 30 për qind blerjen e tokave bujqësore amerikane.

“Është e pakëndshme që konkurrenti ynë më i madh, i cili na kërcënon vazhdimisht, të zotërojë toka këtu. Kjo të bën nervoz”, thotë fermeri Wendell Shauman.

Por ai e pranon se nuk e di që ndonjë fermë aty pranë të ketë lidhje me Kinën.

“Nuk di të ketë në këtë zonë”, thotë fermeri për Zërin e Amerikës.

Në Jacksonville të Illinoit, kompania e zotit Luke Worrell menaxhon transaksionet e tokës për të gjithë rajonin.

"Në pesëmbëdhjetë vjet, nuk kam pasur asnjëherë komunikim me një grup investimesh të lidhur me Kinën, sipas dijenisë time”.

Ai thotë se shumica e shit-blerjeve janë lokale.

“Në karrierën time 15-vjeçare kurrë nuk i kam shitur një fermë ndonjë blerësi të huaj”.

Senatorja republikane e shtetit Ajova, Joni Ernst, është mes ligjvënësve që thonë se blerja e tokave bujqësore nga Kina përbën kërcënim.

Nëse i llogarit të gjitha tokat bujqësore në pronësi kineze, kjo sipërfaqe është pothuajse sa madhësia e shtetit tim të Ajovës”, thotë Senatorja Ernst.

Sipas Departamentit të Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara, investitorët e lidhur me Kinën zotërojnë më pak se 162,000 hektarë tokë, vetëm një pjesë e së cilës është tokë bujqësore.

“Kina nuk zotëron pothuajse asnjë tokë bujqësore në Shtetet e Bashkuara”.

Bruce Sherrick është profesor i ekonomisë bujqësore dhe konsumit në Universitetin e Illinoit. Nga miliona hektarë tokë bujqësore në pronësi të subjekteve të huaja, zoti Sherrick thotë se pronësia kineze është tejet e vogël.

“Më pak se 1%”, thotë profesori.

Përpjekjet e fundit nga investitorë të lidhur me Kinën për të blerë toka pranë instalimeve ushtarake në Teksas dhe Dakotën e Veriut kanë nxitur shqetësime rreth rreziqeve të sigurisë kombëtare.

Profesori Sherrick thotë se pronat në pronësi të huaj zakonisht menaxhohen nga subjektet lokale, shpesh fermerë amerikanë.

Nuk mendoj se është shumë e rëndësishme të dihet se kush zotëron çfarë, sepse toka që prodhon gjëra nuk e di se kush e zotëron atë. Unë mendoj se për sa i përket politikës bujqësore, ndoshta nuk përbën problem të madh”.

Zoti Sherrick thotë se toka bujqësore mbetet një investim tërheqës për çdo blerës.

Fitime të larta me kalimin e kohës dhe rreziqe shumë të ulëta”.

Në Streator të Illinoit, fermeri David Isermann gjithashtu nuk ka njohuri për ndonjë fermë në pronësi të huaj.

Nuk egziston si çështje”.

Ai thotë se preferon që tokat të zotërohen nga banorët lokalë dhe jo firmat kineze, por nuk e sheh nevojën për ligje që kufizojnë pronësinë e tokës nga të huajt.

Fermeri Wendell Shauman nuk pajtohet.

Në Amerikën rurale, mendoj se do të kishte shumë mbështetje për ligjin. Nuk dua që Kina të blejë toka dhe kushedi se çfarë gjërash të tjera do të bëjë”.

Pavarësisht veprimeve që do të ndërmarrë Kongresi, disa shtete po shqyrtojnë gjithashtu kufizimin e pronësisë së tokës nga subjekte të huaja./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat