Trump në epërsi të madhe kundër DeSantis

Amerika

Trump në epërsi të madhe kundër DeSantis

Më: 24 maj 2023 Në ora: 21:02
Trump dhe DeSantis

Donald Trump ka konsoliduar mbështetjen në parti në fazat e hershme të garës për nominimin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të publikuar së fundmi të CNN.

Kandidatura republikane është ende larg vendimit. Në ditët që kur u zhvillua sondazhi, senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott njoftoi kandidaturën e tij dhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis gjithashtu do të shpallë ofertën për nominimin presidencial republikan 2024 të mërkurën mbrëma në një bisedë me pronarin e Twitterit, Elon Musk.

“Unë do ta intervistojë Ron DeSantis dhe ai ka shumë njoftime. Dhe do të jetë hera e parë që diçka e tillë ndodh në rrjetet sociale dhe me pyetje e përgjigje në kohë reale, pa skenar”, tha Musk. Ai shtoi se nuk planifikon të mbështesë asnjë kandidat “për momentin”.

Por, le të kthehemi te sondazhi i përmendur më parë i kryer nga CNN, i cili për momentin nuk po shkon në favor të DeSantis. Është e qartë se kjo është ende faza e hershme e parafushatës, nëse mund të flitet edhe për fillimin e ndonjë fushate.

Trump është zgjedhja e parë e 53 për qind të votuesve primar republikanë, afërsisht dyfishi i 26 për qind të DeSantis. Por, sondazhi zbulon gjithashtu se votuesit republikanë janë të gatshëm të marrin në konsideratë njërin nga të dy, si dhe disa kandidatë të tjerë.

Më shumë se 80 për qind e votuesve republikanë mbështesin ose thonë se janë të gatshëm të marrin në konsideratë kandidaturat e Trump (84 për qind) dhe DeSantis (85 për qind), dhe shumica pak më e vogël mbështesin ose do të konsideronin ish-ambasadoren e SHBA-së në OKB, Nikki Haley (61 për qind), Scott (60 për qind) dhe ish-zëvendëspresidenti, Mike Pence (54 për qind).

Haley dhe Pence janë aktualisht zgjedhja e parë e 6 për qind të republikanëve, tregon sondazhi, ndërsa Scott ka mbështetjen e 2 për qind, si dhe ish-guvernatori i New Jerseyt, Chris Christie, ndërsa pesë kandidatë të tjerë kanë mbështetje më pak se 1 për qind.

Sondazhi tregon gjithashtu se shumica e elektoratit tashmë ka përjashtuar disa emra në zgjedhjet paraprake. Gjashtëdhjetë për qind e të anketuarve thonë se nuk do ta mbështesnin Christien në asnjë rrethanë dhe 55 për qind thonë se nuk do të mbështesnin kurrë ish-guvernatorin e Arkansas, Asa Hutchinson ose guvernatorin e New Hampshire, Chris Sununu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat